Dhoma e avokatisë së Lezhës ka njoftuar se do të vazhdojë me bojkotin e seancave gjyqësore, si një shenjë proteste ndaj mosmarrjen parasysh të kërkesave të tyre lidhur me hartën e re gjyqësore. Në njoftimin zyrtar thuhet se bojkoti i avokatëve të Lezhës do të vijojë në datat 27, 28, 29, 30 Qershor dhe 1 Korrik 2022.
Dhoma e Avokatisë së Lezhës ka vendosur të bojkotojë të gjitha seancat gjyqësore civile, penale, administrative nё tё tre Gjykatat e Rretheve Gjyqёsore qё pёrfshin juridiksioni i Dhomёs Vendore tё Avokatisё Lezhё, si dhe Gjykatёn e Apelit Shkodёr, Durrёs dhe Tiranё si dhe të bojkotojë të gjitha përfaqësimet dhe mbrojtjet ligjore në hetime paraprake.
Po ashtu, Dhoma e Avokatisë së Lezhës ka shpallur bojkotin e masave tё sigurimit personal në datat 28, 29, 30 Qershor, 1 Korrik 2022 nё tё tre Gjykatat qё pёrfshin juridiksioni i Dhomёs Vendore tё Avokatisё Lezhё, si dhe Gjykatёn e Apelit Shkodёr dhe Tiranё.
Edhe Dhoma e Avokatisë në Gjirokastër pas komunikimit me të gjithë avokatët, anëtarë të Dhomës së Avokatisë, vendosi të vijojë bojkotin edhe këtë javë deri në datën 29 qershor, ditë në të cilën, në orën 12:00 parashikohet të mblidhet Këshilli Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë në Tiranë nga ku do te vendoset dhe se si do të veprohet në të gjithë vendin.
Vendimi që do të merret do të jetë detyrues për të gjitha dhomat.
Për këtë vendim unanim të Dhomës Avokatisë Gjirokastër, do të njoftohen kancelaritë e Gjykatave të Shkallës së parë Gjirokastër, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Administrative, dhe Gjykatës së shkallës së parë Përmet.
Kujtojmë se Ministria e Drejtësisë ka dhënë dakordësinë për hartën e re ku nga 22 gjykata të shkallës së parë bëhen 13 dhe nga 6 Apele bëhet 1. Brenda pak ditësh, kjo hartë do të shkojë në qeveri për miratim. 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky ishte përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat e shkallës së parë në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.