Foto ilustruese

Harta e re Gjyqësore, avokatët e Pogradecit notë proteste KLGJ: Krijimi i një Gjykate Apeli nuk sjell asgjë të mirë për profesionin tonë dhe shkel të drejtat e qytetarëve

11 Shkurt 2022, 16:12| Përditesimi: 11 Shkurt 2022, 16:18

  • Share

Pas publikimit të propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për ndryshimin e hartës gjyqësore, ku propozohet reduktimi i numrit të gjykatave në shkallë vendi, avokatët e Pogradecit i kanë drejtuar një notë proteste KLGJ, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit të Ligjeve, për të shprehur kundërshtimin e këtij propozimi.

Ata argumentojnë se ky propozim bie në kundërshti me parimet bazë të funksionimit të sistemit gjyqësorë, si një pushtet më vete dhe se pasojat e kësaj harte do ndihen edhe te ata si avokatë.

Ata shprehen se krijimi i një Gjykate të vetme Apeli në Tiranë nuk do të sillte asgjë pozitive për profesionin e tyre si avokatë dhe se për më tepër shkel të drejtat themelore dhe liritë e qytetarit të garantuara me kushtetutë.

"Ky propozim bie në kundërshti me parimet bazë të funksionimit të sistemit gjyqësor, si një pushtet më vete. Sjellim në vëmendje shembullin me gjykatat administrative,krijimi i së cilës rezultoi një dështim dhe pikërisht për shkak të funksionimit me një gjykatë apeli. Mjafton të marrësh shembull shpërndarjen e sistemit penitenciar dhe largësinë e IEVP nga gjykatat të cilat kanë afate ligjore dhe të cilat nuk mund të shkelen kurrsesi, ato nuk mund të garantohen nga harta e re gjyqësore pasi nuk mund të garantohet prania e personave në gjykim në kohë të shkurtër,me kosto të ulëta po të garantohet siguria. Pasojat e kësaj harte ndihen direkt mbi organizmin dhe funksionimin e profesioneve të lira,midis tyre edhe te ne si avokatë. Pra nga sa u parashtrua më lart del qartë se mbyllja e gjykatës në qytetin tonë,Pogradec dhe përqendrimi i të gjitha gjykatave të apelit në një të vetme në Tiranë nuk ka asnjë pasojë pozitive për profesionin e avokatit dhe për më tepër sjell shkelje të të drejtave themelore dhe lirive të qytetarit të garantuara me kushtetutë", argumentojnë ata.

Propozimi për hartën e re gjyqësore ka hasur edhe në kundërshtinë e avokatëve në Shkodër, Korçë, Lushnjë e Lezhë, që e konsiderojnë atë si skemë të pamundur për të funksionuar. Ata kanë argumentuar se në këtë mënyrë do të largoheshin gjykatat nga qytetarët dhe se i mohon atyre shërbimin gjyqësor.

Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej.  Pra, nga propozimi konkludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16.

 

 

 

 

 Nota e protestës së avokatëve në Pogradec drejtuar KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë
 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?