Harta e re gjyqësore, Kasmi për Report Tv: E parakohshme dhe e panevojshme! Apelit do t’i duhen 6 vite që të shqyrtojë dosjet

2 Maj 2023, 14:25| Përditesimi: 2 Maj 2023, 15:24

  • Share

Ish-zëvendës ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi thotë se krijimi i hartës së re gjyqësore, me shkrirjen e gjykatave të Apelit në rrethe dhe përqendrimin te një e vetme në Tiranë, ishte diçka e panevojshme dhe e parakohshme. Në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ Kasmi u shpreh se për sa kohë që numri i proceseve gjyqësore na tregon se ka mangësi për gjyqtarë, kjo hartë ishte e panevojshme.

‘Një qytetar nuk do të ketë mundësi që të paraqitet në qytetin më të afrët por do t’i duhet të udhëtojë në Tiranë. Në kuadër të eficensës, me transparencën me pjesëmarrjen e vetë qytetarëve, të gjithë kanë dëshirë të marrin pjesë vetë në procesin gjyqësor. Një qytetar nga Kruja tashmë do të duhet të udhëtojë në Tiranë! Në këtë moment nuk ishte e nevojshme që harta e re gjyqësore të prodhonte një reduktim të gjyqtarëve. Duke qenë një shërbim publik, duhet të shohim sa gjyqtar ka për banorë. Ky është një gjyqtar që i shërben qytetarëve. Për sa kohë që numrat e proceseve gjyqësorë ne na sjellin se ka mangësi gjyqtarësh, harta e re gjyqësore ishte e parakohshme dhe e panevojshme për sistemin gjyqësor. Një proces do të vijojë që të shqyrtohet nga një gjyqtar. Një gjyqtar, ta zëmë në godinën e gjykatës së Krujës e cila është një nga godinat më të bukur, është një godinë që nuk do t’u shërbejë më qytetarëve.’- tha Kasmi.

Sipas Kasmit, numri i dosjeve në gjykatë e Apelit është rreth mbi 40 mijë dosje, që do të duhet të paktën 6 vite që të shqyrtohet.

‘Mbi 40 mijë dosje, është numri aktual i çështjeve në gjykatën e Apelit në Shqipëri. Është një numër total çështjesh i referuar, gjykata e Apelit ka gjithsej 26 gjyqtarë. 26 gjyqtare gjykojnë me 3 apo 5 gjyqtarë.  Këto 26 gjyqtarë i bie përafërsisht të formojnë 9 trupa gjykuese të cilat nuk mund të gjykojnë më shumë se 4 çështje në ditë. Gjykata e Apeli po gjykon me mbi 3 seanca gjyqësore. Ne kemi rreth 7200 çështje të shqyrtuara në vit, gjë që është e pamundur. Gjykata e Apeli do t’i duhet rreth 6 vite që të heqin këtë lloj evadimi që kanë aktualisht.’- tha Kasmi.

Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 maji do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?