Harta e re gjyqësore, protesta e avokatëve të Shkodrës me mesazhin e fortë: Largoni Gjykatën, rikthejmë kanunin

Heqja e Gjykatës së Apelit nga Shkodra për të pasur vetëm një të vetme në Tiranë në hartën e re gjyqësore, ka sjellë reagimin e avokatëve dhe gjyqtarëve të Shkodrës. Këta të fundit kanë protestuar në një mënyrë shumë të veçantë, duke kujtuar se çfarë ndodh kur prezenca e shtetit largohet nga njerëzit.

"Largoni Gjykatën, rikthejmë kanunin", shkruajnë ato në një pankartë të varur brenda një salle gjyqi në Gjykatën e Shkodrës.

Harta e re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor është kundërshtuar nga avokatë, gjyqtarë dhe ekspertë të drejtësisë në Shkodër. Kjo kundërshti ka ardhur gjatë tryezës së konsultimit që KLGJ bëri sot atje, si në vazhdën e diskutimeve në të gjithë vendin. Në nisje të takimit, përfaqësues të dhomës së avokatisë në Shkodër kanë vendosur edhe pankartën e mësipërme. 

Avokati Fuat Vjerdha theksoi se krijimi i një Gjykate Apeli cenon aksesin në drejtësi të qytetarëve, teksa shtoi se kjo do të ndikojë jo pak edhe në cilësinë e jetës së tyre.

"Unë theksoj me forcë që krijimi i një Gjykate Apeli cenon aksesin në drejtësi. Ju thoni se çështjet gjykohen në dhomën e këshillimit, por sa prej këtyre çështjeve gjykohen kështu? Ne i shikojmë gjykatat të mbushura me publik dhe ai publik që vjen në Gjykatën e Apelit Shkodër, është i detyruar të shkojë në Tiranë. Shkodra po kthehet në një provincë pa farë rëndësie duke i heq edhe institucionet. Heqja e këtij institucioni të rëndësishëm ndikon edhe në cilësinë  e jetesës së qytetarëve të Shkodrës", tha ai.

Kundër hartës së re gjyqësore u shpreh edhe avokati Apollon Haxhi, i cili tha se propozimi për hartën e re gjyqësore shpreh vetëm interesat e pushtetit gjyqësorë dhe aspak ato të publikut. Për avokatin Haxhi, heqja e Gjykatës së Apelit nga Shkodra për të pasur vetëm një të vetme në Tiranë, është e papranueshme.

"Në aspektin teknik, ju shprehni vetëm interesta e pushtetit gjyqësor, por ligji ka edhe interesa të tjera, interesat e publikut. Ju mbroni interesat e Gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë të qytetarëve. Në material as nuk citohet fare afërsia e individit me gjykatën. Unë si avokat jam në një farë forme përçues të interesit të publikut dhe duke mos e përfshirë pjesën që lidhet me afërsinë e individit me Gjykatën, duke krijuar boshllëqe shumë të mëdha, më duket e papranueshme kalimi në një Gjykatë Apeli të 6 gjykatave. Ju në argumentet tuaja nuk thoni fare se pse ndodh kjo shkrirje, i lidhni të gjitha me delegimin e gjyqësorit", u shpreh ai.

Kjo protestë bëhet edhe më kuptimplotë kur jemi vetëm disa ditë pas ngjarjes së ndodhur në Lezhë ku 17-vjeçari Florian Pervathi vrau për gjakmarrje vëllain e vrasësit të babait të tij, që ishte ekzekutuar 13 vite më parë.

Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej.  Pra, nga propozimi konkludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shkodran: 29/01/2022 00:03

    Këta që e quajnë veten avokatë nuk janë veçse sekserë që hidhen si hienat për të kapur viktimën e radhës që paguan 300 mijë lek të vjetra për një seancë gjyqësore që këta të paraqiten pa asnjë letër dhe në fund të ngrenë supet për të justifikuar mosbërjen asgjë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?