Harta e re Gjyqësore, Rama: S’ka për të ndryshuar, bojkoti është pa vlerë! Reagon Dhoma e Avokatëve: Zgjidhje ka, s’është presion por të na dëgjohet zëri

1 Korrik 2022, 13:41| Përditesimi: 1 Korrik 2022, 15:09

  • Share

TIRANË- Harta e re gjyqësore nuk do të ketë asnjë ndryshim! Pavarësisht kontestimit nga ana e avokatëve, kryeministri Edi Rama ua ka bërë ta qartë që të mos e vazhdojnë bojkotin e seancave gjyqësore dhe të masave të sigurisë pasi nuk do të fitojnë asgjë.

Kreu i qeverisë tha se avokatët duhet t’i kthehen punës dhe të mos marrin peng qytetarët por t’iu japin atyre shërbimin për të cilin paguhen, teksa shtoi se nuk janë ata që vendosin sesi do bëhet harta e gjyqësore e Shqipërisë.

“Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Të bojkotojnë sa duhan, nuk ndryshon. Shqipëria nuk është Kina, as Amerika, as Franca është një vend shumë i vogël për të pasur zyra dhe institucione të panumërta. Harta është ajo, është konsultuar gjatë, e dakordësuar dhe kush i bie ndesh është në të drejtën e vet, por pengmarrja e qytetarëve për të bërë qeverinë të ndryshojë qëndrim është i pamoralshëm, e shëmtuar dhe padobishme. S’ka asnjë shanc të ketë sukses”, tha Rama.

Rama pati një ftesë për avokatët që të ulen dhe të bisedojnë për të gjitha kundërshtitë e tyre dhe sëbashku të arrijnë në një kompromis, por theksoi se me bojkot askush nuk i ka marrë asgjë qeverisë që ai drejton.

“Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Besojnë se me qeverinë që unë drejtoj nuk mund të flitet me gjuhën e bojkoteve të shfaqjeve të kokëfortësisë. Ne këtu jemi kush ka diçka për të ndarë e ka të thjeshtë, të na kërkojë të ulemi të flasim”, u shpreh Rama.

I menjëhershëm ishte reagimi i Dhomës së Avokatisë, ku kreu i saj Maks Haxhia tha se nuk është e vërtetë që s’kanë kërkuar zgjidhje, duke shtuar se kanë kohë që kërkojnë të ulen në bisedime por nuk janë dëgjuar. Ai thotë se kërkojnë një zgjidhje mirëkuptuese që të jetë si në interes të publikut, ashtu edhe të sistemit të drejtësisë.

Propozimi i ri për hartën e re gjyqësore, Rama tha se është marrë pas një procesi të gjerë konsultimesh dhe sipas tij Shqipëria është një vend i vogël për të pasur zyra dhe institucione të panumërta. I pyetur nëse zvogëlimi i numrit të gjykatave do të sjellë kolaps në sistemin e drejtësisë Rama tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Kundërshtime për hartën e re gjyqësore ka pasur edhe nga Partia Demokratike ka kërkuar një dëgjesë në Komisionin e Ligjeve me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manjën. Harta e re Gjyqësore dhe situata nga bojkoti i avokatëve ka krijuar një shqetësim shumë të madh për sistemin e drejtësisë. Prej 2 javësh tashmë gjyqet janë në situatë jo normale, pasi avokatët kanë vendosur bojkot pa afat të seancave gjyqësore dhe bojkot të masave të sigurisë deri më 9 korrik.

Por çfarë do të thotë bojkoti i seancave për masat e sigurisë? Një i ndaluar nga policia, nuk mund të qëndrojë në paraburgim më shumë se 72 orë, nëse nuk del para një trupe gjykuese për të mësuar nëse do të hetohet në gjendje të lirë, në arrest me burg, pa ose me afat, apo në arrest shtëpiak. Masat e sigurisë janë të detyrueshme për të ndarë nëse arrestimi është apo jo i ligjshëm, dhe në të kundër pas 72 orëve, askush nuk mund të qëndrojë në qeli.

'Braktisja' e masave të sigurisë nuk u zbatua nga të gjithë mbrojtësit ligjorë në Tiranë dhe në rrethe. Për ata që kanë thyer vendimin e Dhomës së Avokatisë dhe kanë marrë pjesë në seanca gjyqësore gjatë ditës së djeshme, kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë Saimir Vishaj thotë se do të vuajnë pasojat deri në heqje të licensës. 

Report Tv ka mësuar se kjo hartë do të dërgohet në qeveri e cila nëpërmjet një vendimi do të miratojë propozimin e këshillit të lartë gjyqësor. Aktualisht Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

Ora 14:06
Rama tha se harta nuk ndryshon, reagojnë avokatët: S’i kemi kërkuar asgjë Qeverisë por KLGJ-së! Zgjidhje ka

1656498164_Screenshot2.jpg

Deklaratën e Kryeministrit Rama që tha se Harta e re Gjyqësore nuk ndryshon, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë e konsideron të pavend pasi sipas tyre asgjë nuk i është kërkuar Qeverisë por Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Dhoma e Avokatisë i ka kontestimet për vendimin e KLGJ, qeveria s’ka të bëj me hartën 1 apo 4 apele ka vetëm faturën financiare. Dhoma e avokatisë s’është e vërtet që s’kemi kërkuar zgjidhe, jemi për zgjidhje me mirëkuptim e që i përshtatet jo vetëm publikut por edhe interesit e realizimit të drejtësisë. Kemi kohë që kërkojmë të ulemi por s’na dëgjojnë. Bojkoti s’është presion është zëri ynë të na dëgjojnë e të ulemi”, thuhet në reagimin e kryetarit të Dhomës, Maksim Haxhia.

Ora 14:04
Rama: Avokatët t’i kthen punës, me bojkot nuk fitojnë gjë! S’e përcaktojnë ata si do jetë harta e re gjyqësore

 

Kryeministri Edi Rama tha se avokatët duhet t’i kthehen punës dhe të mos e vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore. Sipas Ramës ata duhet të bëjnë punën e tyre se nuk e vendosin avokatët si do bëhet harta e re gjyqësore.

“Gjyqet kanë vazhduar, avokatët ti kthehen detyrës se nuk e përcaktojnë ata si bëhet harta e republikës. Ky është një vendim i marrë pas një procesi të gjatë konsultimesh. Nuk jam asnjëherë kokëfortë, nuk jam për të dalë e imja, jam për të dalë më e mira. Kur ka qenë rasti për tu tërhequr jam tërhequr. Avokatët kanë punën e tyre ti shërbejnë klientëve, ku hyjnë në punë ta këtu. Me bojkote me forcë qeverisë që unë drejtoj nuk i është marrë asgjë, zero”, tha Rama.

SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?