Harta e re gjyqësore, 'paralizohet' drejtësia! Shtyhen rreth 800 seanca në të gjithë vendin! Haxhia: Bojkoti po funksionon

14 Qershor 2022, 07:38| Përditesimi: 14 Qershor 2022, 14:53

  • Share

TIRANË- Në të gjithë vendin ka nisur bojkoti i Dhomës së Avokatisë për të gjitha shkallët e gjyqësorit deri ditën e premte, 17 qershor. Në kundërshti të hartës së re gjyqësore, avokatët kanë vendosur të mungojnë në seancat gjyqësore, përveç atyre ku jepen masat e sigurisë. 

Kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia në një intervistë për Report Tv ka bërë me dije se bojkoti po funksionon në të gjitha gjykatat në rang vendi. Ai ka bërë me dije se deri më tani nuk është menduar për të shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese pasi ka bindjen se qeveria do të reflektojë.

Report Tv sjell një panoramë të plotë se si është paraqitur sot situata në rrethe, me bojkotin e seancave gjyqësore.

Tiranë
Në gjykatat e Tiranës, GJKKO, Dhoma Penale, Civile, Apeli Tiranë dhe Administrative janë planifikuar të zhvillohen 215 procese gjyqësore të cilat nisin prej orës 08:00 deri në 15:30.

Durrës
220 seanca gjyqësore janë pezulluar këtë të martë në 3 gjykatat e Durrësit, ndërkohë që bojkoti i avokatëve pritet të vijojë deri të premten. Në qarkun e Durrësit shkrihet gjykata e Apelit dhe Administrativja.

Vlorë
Bojkotit i janë bashkuar avokatët e Vlorës, pasi me hartën e re gjyqësore shkrihet Gjykata e Apelit dhe Gjykata Administrative. Gjatë ditës së sotme u pezulluan 124 seanca.

Berat dhe Elbasan
Në Berat gjykata e faktit nuk do të shkrihet, por avokatët u sensibilizuan me kolegët duke lënë pa zhvilluar seanca gjyqësore. As në qarkun e Elbasanit nuk shkrihet asnjë gjykatë, por sërish u bojkotuan gjyqet, më konkretish 120 seanca gjyqësore.

Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës do të shkrihet gjykata e Apelit, Gjykata Administrative si dhe gjykata e faktit në Përmet për këtë arsye avokatët nuk morën pjesë në gjyqe, ku numërohen 134 seanca të pezulluara.

Sarandë
Fenomen i veçantë mbetet Saranda e cila ishte e privilegjuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Avokatët protestuan edhe pse gjykata e shkallës së parë nuk do të mbyllet në qytetin jugor. Ata protestojnë kundër shkrirjes së Administratives dhe Apelit në Gjirokastër.

Korçë

Rreth 100 seanca janë shtyrë në gjykatat e Pogradecit dhe Korçës, pasi avokatët janë kundër shkrirjes së Apelit dhe gjykatës së faktit në Pogradec. Me hartën e re gjyqësore mbetet vetëm gjykatë e faktit për gjithë qarkun e Korçës.

Lushnje
Në shenjë proteste avokatët e Lushnjes varen rrobën e zezë në kangjellat e gjykatës së shkallës së parë, e cila do të transferohet në Fier. Në mbështetje të tyre ishte dhe kreu i PD-së Lushnje Edi Sharka dhe deputeti Sajmir korreshi.

Kukës
Avokatët e Kukësit këtë të martë morën pjesë vetëm në masat e sigurisë, duke pezulluar  20 procese gjyqësore. Bojkoti do të vazhdojë për 4 ditë, pasi me shkrirjen e gjykatës së Tropojës banorët do të duhet të marrin drejtësi pranë gjykatës së Kukësit, që ndodhet 100 kilometra larg.

Lezhë
Në qarkun e Lezhës avokatët protestojnë kundër shkrirjes së gjykatës së parë në Kurbin.

Fier

Avokatët e Fierit i janë bashkuar bojkotit. Ditën e sotme, në gjykatën e rrethit Gjyqësor të Fierit duhet të zhvilloheshin 50 seanca gjyqësore këtë të martë. Në ditët në vijim, nga 15 qershori janë planifikuar për seancë gjyqësore 43 gjyqe ndërsa më 16 qershor janë 69 gjyqe.

Çfarë parashikon harta e re gjyqësore
Report Tv mëson se Ministria e Drejtësisë ka dhënë dakordësinë për hartën e re ku nga 22 gjykata të shkallës së parë bëhen 13 dhe nga 6 Apele bëhet 1. Brenda pak ditësh, kjo hartë do të shkojë në qeveri për miratim. 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky ishte përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat e shkallës së parë në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

Ora 14:41
Bojkoti i avokatëve për hartën gjyqësore, shtyhen 162 seanca gjyqësore në Fier

1655210776_gjykatafier.jpg

Ditën e sotme, në gjykatën e rrethit Gjyqësor të Fierit duhet të zhvilloheshin 50 seanca gjyqësore, por prej bojkotit të avokatëve nuk janë zhvilluar. Në ditët në vijim, nga 15 qershori janë planifikuar për seancë gjyqësore 43 gjyqe ndërsa më 16 qershor janë 69 gjyqe.

Ora 11:55
Harta e re gjyqësore, shtyhen 20 gjyqe në Kukës! Banorët e Tropojës duhet të udhëtojnë 100 km larg për të kërkuar drejtësi

 

Vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatëve për bojkotimin e seancave gjyqësore i është bashkuar edhe Dhoma e Avokatëve të  Kukësit. Sot do të kryheshin rreth 20 procese gjyqësore, por 8 avokatët e Kukësit marrin pjesë vetëm në seancat për masa sigurie.

Sekretarja e Dhomës së Avokatëve Aurora Guska ka deklaruar ky bojkot do të vazhdojë për 4 ditë me radhë ndërkohë me shkrirjen e gjykatës së Tropojës  shtohen vonesat në proceset gjyqësore në gjykatën e apelit Shkodër ku kemi juridiksionin. 

Ndërkohë, projekti i shkrirjes së 12 gjykatave të shkallëve të para në rrethe në kuadër të hartës së re gjyqësore, shkrin edhe Gjykatën e Tropojës. Sipas këtij projekti, banorët e bashkisë së Tropojës do të duhet të kërkojnë drejtësi pranë gjykatës së Kukësit, që ndodhet 100 kilometra larg. Me shkrirjen edhe të gjykatës, banorëve të Tropojës nuk i mbetet më asnjë institucion qendror që u shërben qytetarëve, përveç bashkisë.

Ora 11:01
Harta e re gjyqësore, avokatët bojkot gjyqeve! Shtyhen 120 çështje në Gjykatën e Elbasanit

 

Dhoma e Avokatisë Elbasan mbështet bojkotin e të gjithë seancave gjyqësore me përjashtim të masave sigurimit deri më 17 qershor. Për ditën e sotme, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan do të gjykoheshin 120 çështje, të gjitha të anuluara. Mund të jenë vetëm 3-4 masa sigurimi që nuk do të bojkotohen.

“Qytetarët dëmtohen shumë sepse Rrethi Gjyqësor Elbasan është shumë i shtrirë. Thirrja jonë është që qeveria të mos miratojë vendimin e KLGJ për hartën e re sepse bie në kundërshtim me konventa kombëtare dhe ligjin për të drejtat e njeriut. Deri tani presim çdo lloj urdhri, ata po monitorojnë çdo dhomë avokatie. Nuk ka asnjë avokat, i cili nuk mbështet bojkotin”, tha Demir Çiftja, kryetar i Dhomës së Avokatisë në Elbasan.

Ora 10:44
Vlorë/ Pezullohen 124 seanca gjyqësore, avokatët: Harta e re gjyqësore fut në kolaps sistemin e drejtësisë

 

Edhe dhoma vendore e avokatisë në Vlorë i është bashkuar bojkotit të seancave gjyqësore pasi sipas tyre, harta e re gjyqësore fut edhe më tej në kolaps sistemin e drejtësisë.

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Vlorë, Durim Bajrami theksoi se harta e re gjyqësore krijon probleme ndërsa është nisur sot me bojkot 4 ditor ndërsa në vijim mund të shkohet edhe në bojkot të masave të sigurisë.

Gjatë kësaj të marte janë pezulluar 60 seanca në Gjykatën e Shkallës së Parë, 40 në Gjykatën e Apelit dhe 24 në Gjykatën Administrative.

Ora 10:38
Harta e re gjyqësore/ Avokatët në Lushnje varin pelerinën e zezë në kangjellat e gjykatës! Qytetarja në protestë: S'kam lekë të shkoj deri në Fier

 

Dhoma e avokatisë Lushnje i ka bërë thirrje edhe shoqërisë civile të protestojë kundër hartës së re gjyqësore. Në protestë avokatët varën pelerinën e zezë në kangjellat e gjykatës së shkallës së parë Lushnje e cila do të transferohet në Fier.

Kreu i dhomës së avokatëve Lushnje, Kozma Jano kërkoi mbështetjen e qytetarëve.

Edhe kreu i PD Lushnje zoti Edi Sharka i shpreh se mbështesin avokatët kundër hartës së re të ministrisë .

Edhe kryetari i federatës së shoqatave Lushnja, durim Meta i shpreh në mbështetje të kauzës së avokatëve. Një qytetare që protestoi me avokatët tha se nuk ka para të ndjekë gjyqet në Fier dhe i ka bërë thirrje ministrisë dhe kryetares së KLD ta rishikojë.

Nga ana e tij deputeti Sajmir Korreshi si ish avokat është shprehur se mbështet deri në fund kauzën e avokatëve.

1655195033_lushnje.jpg

Ora 10:38
Bojkoti i avokatëve për hartën gjyqësore/ Planifikohen 38 seanca në Korçë dhe 70 të tjera në Pogradec

 

Sot në Korçë janë planifikuar të zhvillohen 38 seanca gjyqësore, por jo të gjitha do të shtyhen për mungesë avokati.

Një pjesë do të zhvillohen sepse bëhen në dhomë Këshillimi pa praninë e palëve që zgjedhin të përfaqësohen edhe pa avokat. Rreth 70 seanca pritet të shtyhen këtë javë në gjykatën e Pogradecit pasi avokatët kanë vendosur të bojkotojnë gjyqet pasi kundërshtojnë hartën e re gjyqësore.

Ora 10:21
Bojkoti i gjyqeve prej hartës gjyqësore/ Avokatët protestojnë para gjykatës së Lezhës, sot bllokohen 47 seanca gjyqësore

 

Dhoma vendore e avokatisë Lezhë i është bashkuar bojkotit të seancave gjyqësore. Avokatët protestuan para gjykatës së Lezhës duke kundërshtuar hartën e re gjyqësore që sipas tyre fut në kolaps sistemin e drejtësisë.

Gjatë kësaj të marte në Lezhë, për shkak të bojkotit të avokatëve janë bllokuar 47 seanca gjyqësore.

Ora 10:15
Avokatët e Gjirokastrës dhe Përmetit bojkotojnë gjyqet: Nuk do të shkojmë derisa të përmbushen kërkesat

 

Avokatët e Gjirokastrës dhe Përmetit kanë vendosur të bojkotojnë seancat gjyqësore deri në fund të javës për shkak të hartës së re gjyqësore.

Prej ditës së sotme dhe deri te premten në Gjykatën në Gjirokastër do të shtyhen 134 seanca gjyqësore. Sipas përfaqësuesit të Dhomës së Avokatisë në Gjirokastër Tahir Novi, bojkoti do të vazhdojë pafundësisht derisa të përmbushen kërkesat e avokatëve për të mos hequr nga Gjirokastra Gjykatën e Apelit.

Ora 09:58
Bojkot seancave gjyqësore edhe në Sarandë, avokatët kundërshtojnë shkrirjen e dy gjykatave në Gjirokastër

Bojkotit të seancave gjyqësore i janë bashkuar edhe avokatët në Sarandë. Në draftin e miratuar nga KLGJ Gjykata e Sarandës do të vazhdojë funksionimin normal, por avokatët e Sarandës kundërshtojnë shkrirjen e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Administrative në Gjirokastër.

"Shkrirja e këtyre gjykatave dhe zhvendosja drejt Tiranës dhe Lushnjës do të sjellë edhe rritjen e kostove për qytetarët", u shpreh Merdan Nora, përfaqësues i Dhomës së Avokatisë Sarandë

Ora 09:45
Avokatët e Beratit i bashkohen vendimit për bojkot të gjyqeve, sot ishin parashikuar 53 procese gjyqësore

 

Vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatëve për bojkotimin e seancave gjyqësore i është bashkuar edhe Dhoma e Avokatëve të Beratit. Sot do të kryheshin 53 procese gjyqësore, por avokatët marrin pjesë vetëm në seancat për masa sigurie.

Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Beratit, Plarent Lapardhaja ka deklaruar se vendimi për ndryshimin e hartës së re gjyqësore penalizon jo vetëm avokatët por edhe qytetarët. Lapardhaja ka deklaruar se ky bojkot do të vazhdojë për 4 ditë me radhë dhe se avokatët e Beratit do ti bashkohen çdo vendimi që do të merret nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë.

Ndërsa anëtari i Komitetit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Arhenc Berati ka deklaruar se situata e krijuar nuk është pozitive. Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë i ka paraqitur projektin e vet KLGj-së, pas konsultimeve me të gjitha dhomat vendore të avokatisë. Sipas avokatëve, harta e re gjyqësore shton kostot e qytetarëve, kostot e avkotëve, cenon aksesin në drejtësi dhe shkel Nenin 6 të Koncentës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për shkak se një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar.

Ora 09:43
Harta e re gjyqësore/ Haxhia për Report Tv: Bojkoti po funksionon! S'kemi plan të shkojmë në Kushtetuese, jemi të bindur se qeveria do reflektojë

Kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia në një intervistë për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta ka bërë me dije se bojkoti po funksionon në të gjitha gjykatat në rang vendi. Ai tha se me zvogëlimin e numrit të gjykatave do të rritet vetëgjyqësia.

"Të gjithë anëtarët e dhomës të Avokatisë janë këtu, ne ishim të bindur për këtë, po thjesht bëmë një inspektim dhe nuk ka asnjë avokat në Gjykatat. Mund të rritet vetëgjyqësia me eleminimin e gjykatave. Çështjet që janë me afat dhe masat e sigurie nuk do jenë objekt i bojkotit", tha Haxhia.

Një përgjigje ka pasur edhe për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja i cili tha se janë reflektuar kërkesat e avokatëve.

"Manja nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes është në fazën e dytë ku do ia përcjellë qeverisë dhe duke analizuar se kryesorja është e faturës financiare se këtu ka përgjegjësi qeveria dhe ne nuk jemi kundër qeverisë, por kundër vendimit që ka marrë KLGJ, qëllimi i dytë është që t'i transmetohet Manjas ato problematika nga pikëpamja juridike dhe sociale, është bërë vetëm , që Gjykata e Sarandës do të jetë përsëri në Sarandë nuk do jetë e aplikueshme në Gjykatën e shkallës së parë në Gjirokastër", u shpreh Haxhia.

Haxhia ka bërë me dije se duhen të paktën 3 Gjykata të Apelit, teksa ka bindjen se qeveria do të reflektojë.

"Duheshin minimumi 3 Apele, për 1 është e papërballueshme. Kallashët nuk i marrim dot kundër vendimit se jemi juristë, por kemi bindje të plotë që qeveria do i marrë në konsideratë se janë në ë mirën e qeverisë dhe politikës", u shpreh avokati.

Ai ka bërë me dije se deri më tani nuk është menduar për të shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese.

"Po e studiojmë, por deri tani na rezulton se nuk ka vend për përballje gjyqësore", tha Haxhia.

Nga ana tjetër, avokati Ferdinand Doja tha se kjo nuk është një kaprico e avokatëve, teksa shtoi se pasi të përfundojnë 4 ditët e bojkotit, do të mblidhen sërish për të marrë se çfarë do të vendoset.

"Nuk është kaprico e avokatëve, për sa kohë është një vendimmarrje e Këshillit Drejtues të avokatëve. Mbasi të mbarojnë këto 4 ditë bojkot, do të mblidhemi prap që të analizojë, çfarë reagimi pati, dhe më bazë të saj do të vendosim", tha avokati Ferdinand Doja.

Ora 08:07
Harta e re gjyqësore, ja qytetet që do të mbeten pa gjykata

1655187006_mbyllur.jpg

Këshilli i Lartë Gjyqësoe ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

Komento

Komente

  • Iris: 15/06/2022 01:02

    Nese mendoni se korrupsioni dhe gjyqet e kafeneve qe thone komentuesit poshte,do t'ju vije fundi,o ju jeni kaq gabim! Jo vetem qe nuk do eliminohen,por perkundrazi,do ju rritet kapari,se nuk eshte njelloj te besh gjyq,le te themi nga Tropoja,Puka,apo Permeti,Lushnja me qytete te tilla si Shkodra,Tirana,Gjirokastra.Rendesia e qytetit shton dhe koston.Keta qe tani po kerkojne t'ju paguhet rruga,po te tjerat?? Heren tjeter kur te bejne gjyqe kafenesh,nuk do t'i bejne te kafja e vogel e lagjes ne Puke,ose Permet,por do t'i bejne te /Kafja e Madhe/ ne Shkoder,apo te /Rogneri/ ne Tirane.

    Përgjigju
  • Besi: 14/06/2022 11:08

    Me sa po kuptoj avokateve nuk u behet vone se rriten kostot e qytetarit per largesin,,por problemi eshte se si bejne me gjyqet ne kafene,,me vjen keq per nenpunsit e gjykatave qe shteti duhet tu garantoj pune patjeter,jane bere ne shqiperi disa avokat pa kritere fare shkollen e kan marre pa mesuar fare por dine vetem te bejne korrupsion.

    Përgjigju
  • Selmani i Nenes: 14/06/2022 10:18

    qe disa gjykata rrethesh duhet te mbyllen kjo nuk eshte ne diskutim. ajo qe avokatet kerkojne te kete te pakten 3 gjykata apeli dhe po aq gjykata administrative te shkalles 1 sa jane dhe sot pervec ketyre, avokatet dhe profesionistet e tjere te lire qe do te diskriminohen ne raport me bizneset e tjera te vogla duhet te vazhdojne bojkotin dhe bojkotit te tyre ti bashkohen dhe kontabilistet, inxhinjeret, arkitektet, dentistet etj etj

    Përgjigju
  • Meti tirane: 14/06/2022 08:24

    Bravo vendim shume i drejte i dhomes Kombetare te Avokatise, pasi mbyllja e Gjykatave te Rretheve Gjyqesore, si Tropja Sarada Puka, Permeti, Pogradeci e tej, apo 6 Gjykatat e Apalit, eshte shkelje e rende e te drejtave te njeriut, keshtu i bie te eci qindra kilometra nje shtetas per te kundershtuar nje vendim te pa drejte ose kundravajtej adminstrative, po per ceshtejet penale qe eshte teper e veshtire per buxhetin e familjev shiptare me page minimale 32 000 lek ne muaj.Solidaritet me DHASH, per bojkotin.

    Përgjigju
    • Shqipëria: 14/06/2022 09:48

      O Meti dëgjo zjarrin, është në të mirë të sistemit të thotë. Po ta përkthej, është në të mirë të nënës parti. Rroftë partia

    • zjarri: 14/06/2022 09:17

      Ti Meti nuk e kupton llogjiken pas mbylljes se ketyre gjykatave? e vetmja menyre per te luftuar korrupsionin ne gjyqesor eshte te zhdukesh keto banalitetet e rretheve ku avokatet dhe gjyqtaret i bejne gjyqet kafeneve. Nuk ka avokati ne asnje rreth te shqiperise pervec se sadopak ne Tirane. Keshtuqe sado e dhimbshme te jete per qytetaret e rretheve, eshte ne te mire te sistemit.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?