Promovimi i trashëgimisë kulturore, modernizimi i infrastrukturës, nxitja e industrive kreative apo gjithëpërfshirja që duhet të ofrojë ky sektor, përbëjnë katër shtyllat e strategjisë së re që po hartohet për kulturën. Ministri Blendi Gonxhe, kërkoi një qasje të re, më pak burokraci dhe që kultura të jetë dhe një gjenerues real ekonomik. Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026–2030 ka qenë në qendër të forumit të mbajtur këtë të premte në mjediset e ish-Kinostudios dhe që ka bërë bashkë aktorë të fushës së artit dhe kulturës nga skena e pavarur, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë.
***
Ligje që më shumti krijojnë pengesa, ngjarje kulturore që kërkojnë buxhete jo të vogla, por që kanë ndikim të kufizuar. Për ministrin e Kulturës Blendi Gonxhe, shembujt e problemeve nuk mungojnë.
“Ligji i trashëgimisë është aq i ngurtë sa edhe vetë ekspertët e UNESCO-s janë habitur", tha Gonxhja.
Ai vërejti se ligji ynë i trashëgimisë superon çdo fantazi dhe çdo imagjinatë, për të mos lënë që gjërat të bëhen.
“Nuk e di se pse zyrtarët tanë, njerëzit tanë, sektorët tanë, se janë po ata që i shkruajnë, janë po ata që i bëjnë, janë po ata që i konceptojnë dhe pastaj janë po ata që ne kur shkojmë, sot, thonë jo, se duhet është ai komisioni, është ai grupi, është ajo kështu, është ajo kështu. Jemi në një pikë që nuk shprehim dot lirshëm atë që kemi, atë që jemi për shkak të vështirësisë së madhe që kemi me ligj.”, tha Gonxhja.
Ndërsa foli mbi pengesat që burokracia shqiptare i vendos zhvillimit kulturor, që shpesh janë kthyer në një mur të lartë për artistët, institucionet dhe komunitetet artistike, Gonxhe bëri me dije edhe se për këtë arsye, financimi për pjesëmarrjen shqiptare në startup-in e Mira Muratit, një sukses i jashtëzakonshëm, është mundësuar vetëm përmes një ligji amerikan të vitit 1939.
Sfidat përballë janë të shumta, që nga mbështetja për artin e pavarur, edukimi muzeal, decentralizimi kulturor.
“Ne kemi vetëm një program me kalamaj të cilin e mbledhim ditën e shtunë. Dalim foto, bëjmë një postim edhe ky është muzeu. S’po përmend emra qytetesh. Kjo është çfarë ofrojmë ne për edukimin kulturor muzeal në qytetet tona. Ata që edukojmë atje që janë sfungjeri që nuk do ketë fituar gjë këto vite, do jenë ata që do jenë nesër në këtë sallë që do jenë bosh ose do jenë duke bërë ndonjë dëm në shoqëri, ose do jenë duke bërë ndonjë dëm në komunitet sepse nuk kanë as rritjen, as fantazinë as analizën.”, vijoi ai.
Për ministrin e Kulturës, i nevojshëm është riformatimi i ngjarjeve që aktualisht konsumojnë buxhete të mëdha, por kanë ndikim të kufizuar afatgjatë. Ai nuk nguroi të kritikonte edhe Javët Kulturore Ndërkombëtare
“Tani do më falni se ju do thoni që ky mori kot. Po gjejmë një javë kulturore ndërkombëtare, të cilën ne e përshëndesim. Një iniciativë e mirë, pozitive. Në vitin e tretë të saj kthehet në një paradë shijesh, ambasadorësh dhe keq më vjen ta them këtë gjë. Nuk nuk e kam me të gjithë ambasadorët, sepse nuk janë të gjithë njësoj. Po bëjmë një propagandë shtetërore, qoftë shqiptare, qoftë të partnerëve tanë të ambasadave, e cila kushton ku di unë: 1 milion e gjysmë euro apo 2 milion euro. Pastaj kthehet në politike, pastaj bëhet dhe politikë me kulturën, që një shtet t'i tregojë shtetit tjetër. Ne do duhet ta revolucionarizojmë këtë pjesë. Këto 2 milion euro më mirë të bëhen pesë evente të mëdha të jashtëzakonshme në vendin tonë, të cilat mund të jenë natyrisht shkëmbim ndërkombëtar, por shkëmbim ndërkombëtar i lirë.”, tha Gonxhja.
Ai kërkoi që kultura të jetë një gjenerues real ekonomik, duke përmendur edhe nevojën që Shqipëria të shndërrohet në parajsë fiskale për artin dhe krijimtarinë në rajon.
“Ne në fakt jemi një realitet shumë i vogël dhe ne nuk është se do hapim dot një kapitull shumë të ri në kuptimin e kësaj strategjie, por ne duhet të bëhemi gati që të mësojmë, se si me burimet që kemi, në kushtet që ne jemi, në realitetin ekonomik që ne mundësojmë, në këtë lloj niveli, shkallë dhe zhvillimi ekonomik që ne jemi, të mund të gjenerojmë maksimalen e mundshme për artin, kulturën, krijimtarinë", tha Gonxhja.
Strategjia e re kombëtare synon të jetë një dokument përtej një planifikimi, një pasqyrë e aspiratave për një kulturë më të gjallë, më të hapur dhe më të qëndrueshme. Ajo po hartohet nga Fondazione Santagata për Ekonominë dhe Kulturën me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Komente
