Nuk e kemi kuptuar, por dija megjithëse është ajo që mban botën në këmbë po bëhet pakicë, e përzënë nga e djathta e re nga roli i saj historik si interpretuesja e realitetit, pasi më parë ishte përqeshur nga populizmi si tabernakulli i shenjtë i elitave, ku ruhej sekreti i epërsisë së tyre të përjetshme.
Ashtu si në vitet më të errëta, dija është mallkuar, shkenca është bërë e dyshimtë, mjekësia bashkëpunëtore, informacioni i paqartë, arsimi i korruptuar: gjithë thesari i dijes, burimi i kompetencës dhe trashëgimia brez pas brezi e përvojës, janë kthyer në rezervuarë të helmuar të klasës drejtuese, për të mbrojtur dhe riprodhuar vetveten, duke mashtruar popullin dhe duke e mbajtur të nënshtruar nga një kulturë e rreme, e cila në fakt është një mjet politik për dominim dhe ruajtje të pushtetit.
Kjo është thelbi i luftës që Donald Trump ka shpallur ndaj Harvard-it, duke pasur në shënjestër të gjithë sistemin universitar amerikan, mekanizmin e përzgjedhjes së elitave, procesin e ndërlidhur të mësimdhënies dhe mësimnxënies që është instrumenti përmes të cilit një qytetërim e transmeton vetveten. Natyrisht, me mbylljen me urdhër të Harvard-it për studentët e huaj, qeveria amerikane godet njëherësh tre objektiva simbolike për Trump-in: botën akademike, “të huajt”, dhe frymën e pavarur e rebele të brezave studentorë, të perceptuar nga Shtëpia e Bardhë si vatra të infeksionit progresist, ethe “antiamerikane” dhe përhapës të kulturës “woke”.
Pikërisht sepse Harvard-i është një simbol i fuqishëm, pezullimi i këtij ndalimi nga një gjykatëse federale e ndërpret përkohësisht bllokimin, por nuk ndal furinë e së djathtës ekstreme, e cila tashmë ka ndezur flakën kundër gjithë sistemit të dijes, shumë përtej kufijve të botës akademike amerikane.
Duke sulmuar Harvard-in, presidenti amerikan drejton vëmendjen botërore drejt një qëllimi shumë më të thellë dhe ekstrem: krijimin e një përçarjeje të vërtetë kulturore në emër të ideologjisë, shkatërrimin e një dijeje të përbashkët, e cila është lidhësi i unitetit kombëtar dhe vazhdimësisë identitare. Pra, vetë ndërgjegjja kombëtare, ai vetë-identifikim që për historinë e Shteteve të Bashkuara ka ndihmuar të ruajë unitetin përtej dallimeve politike apo shoqërore.
E djathta duhej ta thyente këtë barrierë, ta copëtonte unitetin kulturor, sepse ky është hapi vendimtar për çdo revolucion të vërtetë që dëshiron të bëhet realitet.
Kjo është situata ku ndodhemi, edhe nëse nuk duam ta pranojmë. Që sot, ka nisur beteja për mënyrën se si e kuptojmë botën, që do të vendosë se si i gjykojmë ngjarjet dhe fenomenet, pasi populizmi ka rrëzuar kanonin perëndimor, i vetë-mashtruar se përfaqësonte një vlerë universale. Kjo betejë është vendimtare sepse synon emërimin e ri të realitetit, ushtrimin e pushtetit kulturor për të emërtuar gjërat, për t’i rikrijuar sipas rregullave të një dominimi të ri, për të vendosur një hierarki të re moderne, që do të çojë në riformulimin e koncepteve të së mirës dhe së keqes sipas një etike sunduese.
Nuk bëhet fjalë më për një debat shkencor apo përplasje intelektuale brenda një sistemi të pranuar dhe të përbashkët, ku vlejnë të njëjtat rregulla për të gjithë — ku dy plus dy bëjnë katër, pavarësisht regjimit apo orës së ditës. Jemi në momentin kur po tentohet të ndryshohet vetë "tabela pitagorike" e sistemit, alfabeti i tij, algebra, përmes ndryshimit të metodës me të cilën llogaritet realiteti, duke e shtrembëruar perceptimin përmes çmimit të fakteve dhe shkatërrimit të procedurave, institucioneve dhe normave që e bëjnë të mundur verifikimin e së vërtetës.Dhe pikërisht sepse e vërteta është e verifikueshme, ajo është shtyllë e demokracisë.
Kjo është arsyeja pse pushteti neo-autoritar nuk lodhet të përgënjeshtrojë të vërtetat një e nga një, por bën një kapërcim brutal, duke sulmuar vetë burimet që i prodhojnë: pra, institucionet e dijes, duke helmuar përfundimisht burimin. Qëllimi është të delegjitimohet autoriteti njohës i sistemit demokratik, të minohen themelet e dijes, të pengohen prodhimi natyror i së vërtetës, të zvogëlohet autonomia intelektuale, të ulët vlera e metodës shkencore dhe në fund, të shkretohet territori i dijes, për të rrënuar ndërtimin shoqëror që e bën të mundur të vërtetën, si garanci për të gjithë.
E kemi ditur nga Orwell se kush kontrollon të kaluarën, sundon të ardhmen, dhe kush sundon të tashmen, kontrollon të kaluarën. Por e kemi përsëritur atë si një formulë letrare të bukur por të padëmshme.
Sot, megjithatë, ubikuiteti i informacionit, shpejtësia e komunikimit, pamaterialiteti i transmetimit të dijes, dhe përqendrimi i përvojave në kohë reale, e kanë shkatërruar dimensionin e kohës pas zhdukjes së hapësirës. Dhe kjo e bën të mundur tundimin përfundimtar të autoritarizmit të ri: të rikrijojë drejtpërdrejt realitetin, duke anashkaluar vetë konceptin e së vërtetës dhe duke e fshirë atë nga vetëdija shoqërore.
Nuk kemi më nevojë për të vërtetën, as nuk e rinovojmë më dyshimin, sepse tashmë e kemi shpallur se pyetjet kanë marrë fund — pasi pushteti ka dhënë të gjitha përgjigjet.
Më në fund, kemi arritur në pikën zero: nuk ka më asgjë për të kuptuar.
Dhe në fakt, nuk kemi kuptuar që nga kjo metamorfozë mund të lindë vetëm njeriu-zero, në agimin e shekullit post-demokratik./La Repubblica
Komente
