Administrata Trump mbyll dyert e Universitetit të Harvardit për studentët e huaj. Një njoftim i dërguar këtij universiteti prestigjioz nga sekretarja për Sigurinë e Brendshme, Kristi Noem, dhe i raportuar nga «New York Times», bën të ditur se janë refuzuar lejet për studentë dhe vizitorë jo-amerikanë: «Ju shkruaj për t’ju informuar se, me efekt të menjëhershëm, certifikimi i programit për studentë dhe vizitorë të huaj të Universitetit të Harvardit është revokuar», thuhet në njoftim.
Arsyet? Sipas ministrisë, universiteti ka krijuar një «mjedis të pasigurt»: «Drejtuesit e Harvardit kanë krijuar një ambient universitar të pasigurt, duke lejuar nxitës antiamerikanë dhe filo-terroristë të ngacmojnë dhe sulmojnë fizikisht individë, përfshirë shumë studentë hebrenj, si dhe të pengojnë në mënyra të tjera ambientin dikur të nderuar të të nxënit».
Nuk mbyllen vetëm dyert për të ardhurit e rinj nga jashtë vendit, por edhe studentët ndërkombëtarë që janë aktualisht të regjistruar në Harvard duhet të transferohen, përndryshe do të humbasin statusin e tyre ligjor, thotë Departamenti Amerikan për Sigurinë Kombëtare.
Kjo masë përbën një tjetër goditje të rëndë për universitetin, të cilit presidenti tashmë i ka ndërprerë miliarda dollarë fonde, dhe hap rrugën për një betejë të re ligjore. Kufizimi i hyrjes për studentët e huaj godet në fakt një burim të rëndësishëm financimi për universitetin në Massachusetts. Ministria që drejtohet nga Kristi Noem — e njëjta që pak javë më parë ishte fotografuar përpara një kafazi me venezuelianë të deportuar në El Salvador — i kishte dhënë Harvardit afat deri në fund të prillit për të denoncuar studentët e regjistruar që kishin kryer «veprime të paligjshme dhe të dhunshme». Dhe tani, pothuajse një muaj pas skadimit të këtij afati, Noem i vendos realisht një lak në fyt universitetit, në emër të një kryqëzate kundër antisemitizmit dhe politikave «DEI» (diversitet, barazi dhe përfshirje).
«Kjo administratë po e mban Harvardin përgjegjës për nxitjen e dhunës, antisemitizmit dhe bashkëpunimit me Partinë Komuniste Kineze në kampusin e saj. Është një privilegj, jo një e drejtë, për universitetet që të regjistrojnë studentë të huaj dhe të përfitojnë nga tarifat e tyre më të larta të shkollimit, duke ndihmuar kështu në rritjen e fondeve të tyre shumëmiliardëshe», kritikoi Noem.
Sipas «New York Times», është e mundur që Harvard të përgjigjet me një padi të re kundër kësaj mase të presidentit, pas asaj që nisi muajin e kaluar kundër përpjekjes së qeverisë për të imponuar ndryshime në praktikat e tij të pranimeve dhe punësimeve.
Në Harvard, këtë vit ka rreth 6.800 studentë të huaj, rreth 27% e numrit të përgjithshëm të studentëve, një rritje krahasuar me 19.7% të vitit 2010. Disa prej tyre janë pranuar me bursa, ndërsa të tjerët paguajnë tarifën e plotë prej 83 mijë dollarësh në vit.
Nga Italia kanë aplikuar 500 persona, por vetëm tre janë pranuar: të gjithë me bursa studimi, sipas të dhënave të Uni Student Advisors, organizata që i ndihmoi me aplikimin./ Corriere della Sera
Komente
