Universiteti i Harvardit

Bota

Harvard, një gjyqtare federale bllokon ndalimin e Trump ndaj studentëve të huaj në universitet

23 Maj, 19:09| Përditesimi: 23 Maj, 19:14

  • Share

Shtohet një kapitull tjetër në përplasjen gjithnjë e më të ashpër mes Shtëpisë së Bardhë dhe Universitetit të Harvardit. Sot, një gjyqtare federale ka pezulluar përkohësisht ndalimin e vendosur nga administrata Trump për praninë e studentëve të huaj në kampusin e Harvardit, duke pranuar kërkesën urgjente të paraqitur nga universiteti pas vendimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (Homeland Security).

Gjyqtarja Allison Burroughs pranoi menjëherë ankesën e universitetit, pas njoftimit të djeshëm nga qeveria amerikane që ndalonte institucionin të regjistronte studentë të huaj. Gjyqtarja e Bostonit e konsideroi të vlefshëm argumentin e paraqitur nga universiteti, sipas të cilit zbatimi i masës së ndërmarrë nga Trump mund të shkaktonte një “dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm” për institucionin.

“Administratës Trump i ndalohet nga ky moment të zbatojë... revokimin e certifikimit SEVP (Programi për Studentë dhe Vizitorë të Shkëmbimeve) ndaj paditësit,” urdhëroi Burroughs.

Në padinë e paraqitur sot, avokatët e Harvardit kishin deklaruar gjithashtu se vendimi i administratës për ta përjashtuar universitetin nga programi për pranimin e studentëve të huaj përbën “një hakmarrje të qartë” pas refuzimit të Harvardit për t’iu bindur “kërkesave ideologjikisht të motivuara” të qeverisë. “Me një të rënë të lapsit, qeveria u përpoq të fshinte një të katërtën e popullsisë studentore të Harvardit,” thuhet në padinë e universitetit.

E njëjta gjyqtare, e emëruar nga Barack Obama në vitin 2014, është gjithashtu përgjegjëse për një tjetër çështje të ngritur nga universiteti i Ligës së Ivy kundër administratës Trump, lidhur me bllokimin e 2.6 miliardë dollarëve fonde federale. Gjyqtarja ka caktuar për datat 27 dhe 29 maj seancat e ardhshme për të shqyrtuar në themel padinë./ Corriere della Sera

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?