Enver Hoxha

Hasan Bello: Enver Hoxha dhe ‘Thesaret e Kombit’

4 Qershor 2023, 14:04| Përditesimi: 4 Qershor 2023, 14:07

  • Share

Në diskursin publik të E. Hoxhës dhe regjimit komunist nuk ka ndodhur asnjëherë që të vlerësohet diçka nga periudha e Zogut. Përkundrazi, arritjet e shtetit komunist krahasoheshin gjithmonë me statistikat dhe situatën ekonomike të monarkisë. Ky nihilizëm u pasqyrua jo vetëm në studimet historiografike, por edhe në ato ekonomike, juridike, letrare dhe shkencore. Por a ka pasur në të vërtetë ndonjë vlerësim E. Hoxha për periudhën e Zogut?  Sigurisht që po!

Në vitet e para të instalimit të regjimit komunist ai dhe i gjithë estabilishmenti, i cili ishte produkt i institucioneve arsimore të kësaj periudhe, u detyrua të përdorte ish-nënpunës të administratës zogiste. Kjo zgjati derisa u kthye brezi i parë i të arsimuarve nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Kampit Socialist.  Një rast interesant kur E. Hoxha vlerëson një punë që ishte bërë në kohën e Zogut ka të bëjë me një shënim në ditarin e tij sekret në shkurt të 1979. Në fakt kjo është një përqasje mbi një ese që shkrimtari I. Kadare kishte botuar në atë periudhë për ciklin e kreshnikëve, ku ndër të tjera diktatori shkruan: “Neve nuk na duhen parrulla, slogane, ose mbledhje pa bukë në të tilla institucione si ky i folklorit, por dëshirojmë që studiuesit të hyjnë thellë në vëllimet ekzistuese të “Thesareve të Kombit”. Këto vëllime, sipas mendimit tim, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme.

Vërtet janë shkruar në kohën e Zogut, por kanë një vlerë të madhe dhe po u fute brenda, humbet në to dhe nuk del dot, po të mos dish të orientohesh, po të mos u futesh në esencë problemeve, por t’i shikosh këto vetëm në sipërfaqe. Kjo ndodh për arsye se ky thesar është i ngatërruar, ai është marrë e hedhur pa kujdes në ato kohë, pa u bërë më parë një klasifikim shkencor i tij, gjë që duhet bërë”.  Me “Thesare të Kombit” E. Hoxha ka parasysh titullin e përbashkët të një cikli botimesh në 15 vëllime me lëndë nga tradita folklorike, etnografike e gjuhësore shqiptare që u shtypën në vitet 1937-1944.

Në fakt ato quheshin “Visaret e Kombit” dhe filluan të botoheshin me rastin e “25 vjetorit të vet-qeverimit” nga Ministria e Arsimit në vitin 1937. Madje, vëllimi II i cili përmbante këngë kreshnikësh dhe legjenda ishte mbledhur e përgatitur për botim nga dy klerikë katolikë At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, i pari vdiq në burg duke pritur të dilte në gjyq në vitin 1946, ndërsa i dyti në internim në vitin 1983.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?