Hasan Bello: Urdhri mistik i mevlevive

25 Qershor 2023, 19:24| Përditesimi: 25 Qershor 2023, 19:25

  • Share

Një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe religjoze te popullit shqiptar kanë luajtur urdhrat fetarë të të gjitha feve. Këtu nuk bëjnë përjashtim as urdhrat mistikë (tarikatet) të fesë Islame. Për shkak të luftës së regjimit komunist ndaj besimeve fetare ende dhe sot e kësaj dite, me pak përjashtime, nuk kemi studime të thelluara mbi përhapjen dhe rolin e këtyre urdhrave apo tarikateve (qoftë për të krishterët, qoftë për myslimanët).

Një nga studiueset e para në këtë drejtim mbetet historiania e njohur franceze Natali Klejer, e cila në fund të viteve 80 në kuadër të një projekti me një universitet gjerman ka botuar një libër ku hedh dritë mbi përhapjen e urdhrave të ndryshëm sufi në vendin tonë. Por edhe ky studim, për shkak të rrethanave politike të kohës ka kufizime serioze në aspektin burimorë.

Një ndër tarikatet më të njohura të fesë Islame në Ballkan ishin mevlevitë. Themelues i tij ishte poeti dhe dijetari i njohur, autori i veprës Mesnevi, Mevlana Xhelaledin Rumi (viti 1273), për të cilin UNESCO vitin 2007, me rastin e 800 vjetorit të lindjes së tij e shpalli si viti i Rumiut. Ai njihet ndryshe edhe si humanist dhe promovues i virtyteve më të larta njerëzore.

Pjesë e këtij urdhri mistik të mevlevive ishin elita e Perandorisë Osmane. Kryesisht njerëzit e dijes, poetët dhe shkrimtarët. Por edhe drejtues të lartë të shtetit. Edhe te shqiptarët me influencë kishte shumë personalitete të njohur. Kjo vihet re dhe nga përhapja e tyre në territoret shqiptare, sidomos në qendrat e zhvilluara urbane si: në Shkup, Elbasan, Pejë, Gjakovë, Manastir dhe provinca të tjera të vilajeteve shqiptare. Një pjesë e mirë e veprave letrare dhe poetike të alhamiadës shqiptare (letërsisë shqipe me alfabet arab) apo veprave në gjuhët më të njohura të kohës, mendoj se kanë si autorë pjestarë me origjinë shqiptare të këtij urdhëri mistik.

Studimi i urdhrave fetarë të të gjitha religjoneve te shqiptarët do të bënte të mundur ndërtimin e një atlasi historik të shtrirjes së tyre gjeografike, duke përftuar të dhëna me interes për raportet e kombit me besimet e ndryshme.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?