Politikë

Hasani në Athinë: Koha për të trajtuar me seriozitet çështjet e mbetura! Gerapetritis: Ju mbështesim për integrimin! Kujdes minoritetin

3 Qershor, 16:08| Përditesimi: 3 Qershor, 23:09

  • Share

Athinë- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologu i Greqisë, George Gerapetritis dhe nga Presidenti i Republikës Helenike, Constantinos Tassoulas.

Ministri shqiptar theksoi se vizita shënoi një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke riafirmuar angazhimin për një partneritet të qëndrueshëm, të bazuar në respekt të ndërsjellë, afërsi strategjike dhe vizion të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe funksionale.

Në deklaratën pas takimit me homologun grek, ministri Hasani theksoi:

“Rikonfirmuam vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë dypalësh – të ndërtuar mbi besimin, interesat strategjike dhe rolin tonë të përbashkët si aleatë në NATO. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për konsolidimin e vizionit evropian në Ballkanin Perëndimor”.

Palët zhvilluan një shkëmbim të thelluar mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, i cilësuar si prioritet kombëtar nga qeveria shqiptare.

“Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë këtij procesi dhe për rolin e saj si një partner aktiv dhe fqinj me të cilin ndajmë interesa dhe përgjegjësi të përbashkëta”, deklaroi ministri Hasani.

Në lidhje me çështjet e hapura dypalëshe, ku mes tyre është jo vetëm Ligji i Luftës, por edhe Marrëveshja për Detin, ministri Hasani u shpreh:

“Ndajmë bindjen se ka ardhur koha për të trajtuar me seriozitet dhe qasje konstruktive të gjitha çështjet e mbetura. Është në interesin e përbashkët të dy vendeve që këto tema të adresohen përmes dialogut të sinqertë, respektit të ndërsjellë dhe përputhshmërisë me të drejtën ndërkombëtare”.

Në takimin me Presidentin e Republikës, u theksua dinamika pozitive e dialogut mes dy qeverive dhe rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.

“Vlerësova bashkëpunimin e qëndrueshëm ekonomik mes vendeve tona, si dhe rolin e dyfishtë të Greqisë si partneri ynë më i madh tregtar dhe përkrahës i palëkundur i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”, tha Ministri Hasani.

Të dy ministrat theksuarn nevojën për dialog dhe zgjidhje të çështjeve të mbetura, por pa asnjë diskutim konkret.

“Hijet që kanë rënduar marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të eliminohen, njëherë e përgjithmonë. Ne duhet të shohim nga e ardhmja me optimizëm, mbi bazën e respektimit të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe gjithmonë duke ndërtuar marrëdhënie miqësie dhe fqinjësie të mirë”, tha gerapetritis.

Por pavarësisht toneve optimiste, çështjet më të të rëndësishme mbeten të pazgjidhura.

Mes tyre, ajo e kufirit detar, për të cilën Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që pesë vite më parë ta referojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, një proces që nuk ka ende asnjë përparim.

Garancia e vetme që Shqipëria mori nga fqinji jugor është ajo e mbështetjes në procesin e integrimit europian

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane është thelbësor, duke lënë pas nacionalizmin dhe forcat e prapambetjes e destabilizimit. Sa i përket perspektivës evropiane të Shqipërisë në veçanti, Greqia, në përputhje me qëndrimin e saj të kahershëm, ka rënë dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë, duke vlerësuar përparimin e bërë në kapitujt përkatës”, tha ministri grek.

Gerapetriti i është referuar respektimit të plotë dhe të detyrueshëm për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të Pakicës Kombëtare Greke, që përbën një përparësi të madhe për Athinën.

“Pakica Kombëtare Greke është një nga hallkat më të forta në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Prej shekujsh përbën një urë komunikimi dhe mirëkuptimi mes dy popujve.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi”, tha Gerapteritis.

E vetmja çështje për të cilën Greqia kërcënoi me bllokim të negociatave për Shqipërnë ishte ajo “Beleri”, çështje që nga pala greke u ngrit deri në Bruksel dhe çoi në ngrirje të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Në kuadër të vizitës, ministri Hasani është i ftuar në një diskutim me anëtarë të Institutit ELIAMEP – një ndër institucionet më të njohura në Greqi për çështjet e politikës së jashtme dhe evropiane – ku do të paraqesë zhvillimet më të fundit në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe angazhimet e saj reformuese.

Vizita do të mbyllet me një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë, ku do të marrin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve greke, medias, si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Greqi.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?