Vijojnë ndryshimet te Real Madrid. Pas largimit të Carlo Ancelottit nga stoli i trajnerit, "Galaktikët" e zëvendësuan me Xabi Alonson. Kur u duk se situata me trajnerët u qetësua, ishte Raul Gonzales që njoftoi largimin nga roli i trajnerit të ekipit B, Castilla. Mediet në Spanjë flasin për hatërmbetje, pasi Raul duket se kërkonte postin në ekipin e parë.
“Real Madrid njofton se Raul e ka informuar klubin për vendimin e tij për t’i dhënë fund karrierës si trajner i ekipit tonë të të rinjve. Ka qenë një burim krenarie për Real Madridin që të ketë një nga legjendat më të mëdha në historinë tonë dhe në futbollin botëror si trajner.
Kjo do të jetë gjithmonë shtëpia e tij. Real Madridi i uron Raulit dhe familjes së tij gjithë të mirat në këtë fazë të re të jetës së tij”, përfundon deklarata e Real Madrid.
Raul u rikthye te Real Madridi si trajner në vitin 2018, duke drejtuar ekipet Cadet B dhe Juvenil B të klubit. Vitin pasardhës, ish-sulmuesit iu dorëzuan frenat e ekipit Castilla.
47-vjeçari luajti një rol kyç në zhvillimin e talenteve të rinj brenda klubit dhe më parë kishte refuzuar oferta nga klubet me shpresën për të marrë rolin e trajnerit të parë në 'Santiago Bernabeu'.
Megjithatë, me Xabi Alonson që mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Ancelottit, Raul ka vendosur të largohet nga Real Madridi. Alvaro Arbeloa, aktualisht trajner i Juvenil A, pritet të marrë përsipër detyrën si trajneri i ri i Castilla.
Komente
