Banorët e fshatit Tozhan në Poliçan kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit "Vokopola 3" pasi sipas tyre, me përfundimin e kësaj vepre hidrike lumi do të thahet dhe do të mbeten pa vaditje. Janë rreth 200 familje në këtë fshat që përdorin burimin e "ujit të zi" për bujqësinë dhe blegtorinë.
Ambientalisti Sazan Guri, i cili mbështeti banorët në protestë tha se "95 për qind e ujit të lumit do të futet në tuba dhe do përdoret për prodhim energjie dhe vetëm 5 për qind do t'u lihet banorëve për vaditje". Ai kërkon nga Ministria e Energjisë që të ndryshohet marrëveshja koncesionare në mënyrë që uji i lumit të shfrytëzohet vetëm për vaditje gjatë periudhës së verës, përkatësisht 15 maj deri në 15 shtator.
Banorët e Tozhanit në Poliçan ankesën e tyre ua kanë drejtuar me shkrim të gjitha institucioneve vendore e qendrore, si Bashkisë, Prefekturës, Ministrisë së Energjetikës, asaj të Mjedisit dhe Kryeministrisë.
Gjatë 10 vjeçarit të fundit janë ndërtuar 2 hidrocentrale në lumin e Vokopolës, ndërsa po vijon puna për të tretin. Kujtojmë se kontrata koncesionare e formës "BOT" për ndërtimin e tre HEC-ve, "Vokopola 1" "Vokopola 2" dhe "Vokopola 3" është nënshkruar në vitin 2012, ndërmjet ministrit të asaj kohe të Energjetikës, Edmond Haxhinasto dhe përfaqësuesit të koncesionarit, Çaush Qato, bashkim i dy kompanive "Geri" dhe Ufo".