Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave të komentuesve në lidhje me hekurudhën që lidh Durrësin me Prishtinën, për të cilën njëri prej tyre i shkruan se nuk do të realizohet kurrë. Duke iu përgjigjur edhe akuzës se projekti u bë publik në kohë zgjedhore, Rama shprehet se në fakt projekti është prezantuar që në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
“Ky projekt është prezantuar në çdo fazë të tijën, madje edhe në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, kur ishte në nivelin e projekt idesë. Nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me fazën e re ku konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin e kalimit nga Shkodra, përmes Gjakovës në Prishtinë si më të mirin prandaj edhe ekipi ynë i përbashkët e ka parë të udhës ta bëjë me dije edhe mbylljen e kësaj faze se jeta vazhdon. E dyta sesa do të kushtojë këtë do ta nxjerrë projekti i detajuar, i cili përsëri do të bëhet nga një ekspertizë ndërkombëtare e nivelit të lartë dhe do të aprovohet nga fondi evropian i investimeve të Ballkanit Perëndimor. Një gjë është e sigurt, se pa lekë hekurudha nuk bëhet dot dhe a do mbarojnë apo jo këto projekte, këtë s’e kanë në dorë ata që shajnë dhe tallen nga kafenetë e Tiranës apo Prishtinës por e kanë ata që projektojnë dhe punojnë në llogoren e të ardhmes.”, shprehet Rama.
Një tjetër komentuesi që i shkruan se duhet të mbarojë atë të Durrësit, Rama i përgjigjet se programi i hekurudhave është një 'pako' e re tërësore, bashkë me disa projekte të tjera. Kreu i qeverisë thekson se këto projekte janë në proces ndërtimi dhe në fillimin e dekadës tjetër, do të jenë të aksesueshme.
“Programi i hekurudhave është pako e re dhe tërësore, të cilës i ka ardhur koha tanimë dhe e cila është hapur në Tiranë-Rinas-Durrës ku puna po shkon drejt përfundimit. Por çka duhet të dini është fakti se vonesat e fillimit të punimeve në atë hekurudhë kanë qenë të lidhura me pozicionin ende të dobët të Shqipërisë deri para ca vitesh ku ende nuk na merrnin shumë seriozisht as BE dhe as bankat e saj zhvillimore, burimi i financimit të pakos së hekurudhave. Sot është histori tjetër dhe prandaj jemi në procese të avancuara me hekurudhës Durrës-Hani i Hotit, ku nis puna brenda këtij viti, Durrës-Rrogozhinë, hekurudha e Korridorit 8 apo Durrës-Fier dhe Fier-Vlorë, të gjitha këto nisin me radhë por jo më vonë se në 2030. Të tëra këto janë në proces ndërtimi të ndryshme. Në fillimet e dekadës tjetër do të jenë të tëra në punë dhe do të keni mundësi të shfrytëzoni edhe trenin”.
Në përgjigje të një tjetër komenti, që i tha se duhet të mbarojë projektet që s’janë mbaruar më pas të bëjë plane të tjera 3D, Rama tha:
"Çdo vepër e re publike nis nga një ëndërr më pas bëhet plan, më pas projekt 3d dhe më pas në vepër. Mendoj se ne kemi treguar se 3D tona janë thjesht hallka e parafundit e realizimit të një ëndrre dhe e kthimit të saj në realitet. Por na duhen hudhra si ti për të mos pasur më shumë probleme sa duhet dhe mundet me syrin e keq ndërkohë që Shqipëria 2030 po merr forma dita ditës, me ëndrra, punë dhe shumë durim. Duhet durim ekstra për të përballuar ty dhe shokët e ty.”, shprehet kryeministri.
Komente
