Politikë

Hekurudha Tiranë-Durrës, Kuvendi miraton kërkesën e qeverisë për huanë 77.5 milionë euro nga BERZH! Pro voton dhe Leskaj i PD-së

31 Janar, 00:07| Përditesimi: 31 Janar, 00:46

  • Share

Kuvendi miraton me 74 vota pro të maxhoranës kërkesën e qeverisë për të marrë hua 77.5 milionë euro, nga BERZH për mbylljen e punimeve për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe për ndërtimin e linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Votimi u mor pak pas mesnatës (ora 00:15 e 31 janarit 2025) dhe në sallën e Kuvendit veç deputetit demokrat Bujar Leskajt nuk kishte asnjë përfaqësues nga opozita.


Leskaj bashkoi votën me socialistët për të votuar pro huasë për hekurudhën Tiranë - Durrës.

Për Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare - rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë - Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, ratifikuar me 2 ligjin nr.29/2017” u votua me 74 vota pro, zero pro e zero kundër.

Përmes projektligjit të depozituar në dhjetor 2024 Këshilli i Ministrave kërkoi të rishikohet marrëveshja e parë e huasë me BERZH, ku planifikohej kredia në vlerën 36.8 milionë euro, të zëvendësohej me vlerën 77.5 milionë euro, pra financim shtesë prej 40.7 mln euro. 

Kjo shtesë e vlerës së huasë thuhet në relacion do të shërbejnë për ndërtimin e 8 godinave të stacioneve hekurudhore me vlerë 10.5 milionë euro.

Gjithashtu, do të financojë edhe shtesën e kostos së projektit, ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore me vlerë rreth 29 milionë euro, si dhe financimi shtesë i kontratës së mbikëqyrësit të punimeve, me vlerë 1.2 milionë euro. Në relacion thuhet se afati i zbatimit të projektit është data 31 gusht 2025, kurse hekurudha pritet të jetë gati për të udhëtuar në fillim të vitit 2026.

Ky projekt është bashkë financuar nga BE me një grant investimi prej 35.5 milionë eurosh dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) përmes kredisë së parë në vlerën 36.8 milionë euro.

Linja hekurudhore do të jetë një linjë tërësisht elektrike, do të ketë 8 ndalesa dhe për të shkuar nga kryeqyteti në Durrës do të duhen vetëm 22 minuta, kurse deri në Rinas 12 minuta.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë 

Votimi i pr/ligjit per marrjen e huasë për hekurudhën Tiranë - Durrës


Gjatë seancës para votimit ministri i Shtetit për Parlamentin Taulant Balla tha se treni do të jetë i standardeve europiane.

"Marrëveshja që ju sjellim sot është për të gjithë shqiptarët që nuk duan të shkojnë me furgon në Durrës, as me autobus, por me tren. E patëm lënë një projekt në 2005-ën, erdhi njëri këtu dhe e anuloi se s’i pëlqen treni,nuk e ka njohur ndonjëherë. Tani treni do bëhet.

Treni do të jetë i standardeve më të mira europiane. Dhe më e mira e kësaj pune është se nuk do të shkoni më me benza në aeroportin Rinas, por do të hipni trenit për Rinas. Çfarë problemi keni me trenin ju? Jeni parti që do të mbaheni mend si partia kundër zhvillimit, teknologjisë që nuk e mori vesh kurrë çfarë do populli. Dhe ju do hipni në tren, do zbrisni nga ky treni pa kokë.” i tha Balla opozitës përpara se të vijonte me prezantimin e projektligjit për hekurudhat" tha Balla. 


Lajmi kryesor:

Kuvendi miraton pr/ligjet, resortet me 4-5 yje përjashtohen nga tatimi për 10 vite! Majko, Braçe e Koçi abstenojnë! Shtyhet deri më 2026 afati i aplikimit për investimet strategjike


S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?