Ema, Era e Drin Xhafa dhe Alvi e Livia Gjegji të udhëhequr nga artisti Helidon Gjergji i kanë dhënë lamtumirë për ca ditë internetit dhe tabletëve, sepse kishin një punë më të rëndësishme për të bërë.
Këta fëmijë të mrekullueshëm të udhëhequr nga artisti i njohur shqiptar Helidon Gjergji janë tashmë bashkëpunëtorë dhe bashkëautorë të ekspozitës “Në kërkim të artit ” që u çel në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri….
Ekspozita u çel nga drejtoresha Eridana Cano në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Fëmijët tregonin me ngazëllim veprat e tyre. Ata kishin filluar të ndiheshin ndryshe, duke vëzhguar jetën dhe shijuar mbresat e gjalla të saj. Vizatimet e tyre nuk janë ikona interneti që përdoren masivisht, ato vijnë në këtë ekspozitë të veshura me mistikën e brendshme krijuese të gjithsecilit.
Ky është shekulli kur perandoria e imazhit po ngrihet më e fuqishme se kurrë.
Të mëdhenj e të vegjël, për arsye pune, biznesi apo argëtimi lundrojnë në botën virtuale të facebook-ut, instagram-it, aparateve telefonike të markave fundit, tabletëve, televizioneve, programeve elektronike që me një të lëvizur të gishtit të bëjnë të ngujohesh me orë të gjata me sytë e ngulur në ekran.
Ky është shekulli kur edhe për të kaluar kohën e lirë apo për të ngopur kuriozitetin të ofrohet dashje pa dashje pushteti joshës i imazhit.
I mbyllur në shtëpi, një fëmijë pëlqen të vizatojë një mace, por ai nuk do që të lodhet, duke ushtruar dorën përmes të bukurave shtrembërime të moshës.
Mjafton një print në letër dhe ai do ta ngjyros shumë shpejt atë.
Lidhja me veprën e bërë pa shumë mund, do të përfundojë siç nisi. Do të harrohet shpejt!
Ndryshe janë pikturat e fëmijëve të bëra me dorën e tyre. Ekspozita flet shumë për mënyrën e re të komunikimit të fëmijëve me artistin Gjergji.
I pyetur se cili ishte frymëzimi i parë për veprën e tij, Helidon Gjergji përgjigjet se:
“Unë kam mbi 20 vjet dhe ndoshta më tepër që punoj me realitetin virtual, me realitetin dixhital, me realitetin e ekraneve. Kjo punë e imja fillon me raportin që kishim në kohën e diktaturës, ku e vetmja dritare që kishim për komunikim me botën përtej Shqipërsië ishte vetëm përmes ekranit të televizorit, jo si punë imja, por si ide, sepse e kujtoj sesi prisnin para ekranit për të parë diçka më përtej, gjë që qeveria e asaj kohe na e bënte edhe të ndaluar. Pra ne kishm një ide për realitetin që na rrethon nga ky ekran. Ekranit të televizorit sot i është shtuar edhe një fazë tjetër me interaktivitetin e internetit dhe ndryshon me kohën që unë kam ndërtuar me jetën virtuale brenda një kutie.”
Kuratorja italiane Santa Nastro, gazetare dhe kritike arti ka një marrëdhënie të thellë vlerësimi për Helidon Gjergjin të krijuar gjatë pjesëmarrjes së tij në ekspozitat ndërkombëtare. Ajo i ftoi të pranishmit që ta shijonin ekspozitën, duke i lidhur veprat me mesazhin e tyre.
“Ekspozita në kërkim të artit na jep mundësinë të reflektojmë mbi mekanizmat tanë të mendimit dhe marrëdhëniet e tyre me internetin, i cili ka ndryshuar ndjeshëm jetën tonë, por edhe mënyrën sesi bëjmë pyetje, kërkojmë përgjigje dhe kufijtë që ekzistojnë midis realitetit dhe trillimit , mes lajmeve të vërteta dhe lajmeve të rreme, mes një vepre arti dhe një imazhi të thjeshtë.”- u shpreh ajo.
Santra Nastro e dashuron Tiranën e artistëve, aty ku e ka burimin dhe talenti i Helidon Gjergjit.
'Helidoni, është rritur dhe ka studiuar këtu, ai jeton shumë vite tashmë në Shtetet e Bashkuara. Ai ka sjellë gjatë gjithë krijimtarisë së tij artistike perceptimin e tij mbi marrëdhënien tonë me imazhet. E kemi parë disa herë këtu në Tiranë, por edhe në Itali e më pas në Murcia për Manifesta, në Bienalen e 52-të të Venecias'- tha Nastro.
Helidon Gjergji është kthyer nga Amerika në Shqipëri për këtë projekt.
Ai thotë se në Amerikë e mban Shqipërinë me vete. Dhe kur vjen këtu zbulon subjekte të njëpasnjëshme për të krijuar vepra. Ndihet si një eksplorator diamantesh.
Krijimtarinë e tij artistike që lidhet me marrëdhënien tonë me imazhet, Helidon Gjergji do ta ndjente të mangët pa dorën dhe mendjen e këtyre fëmijëve.
“Kur më pyete më parë sesi e shikoj kthimin tim në Shpipëri, nuk e përmenda fjalën nostalgji. Nuk e përmenda, sepse m’u kujtua vetja, kur ne kishim si prpfesorë artistë të famshëm shqiptarë, si Danish Jukniu që mua më udhëhiqnin, që ka qenë një emocion i veçantë bashkëpunimi me të dhe këta fëmijë që i shoh mbrapa në kohë, desha jo në aspektin egoist, por në aspektin e të ardhmes të kishin një marrëdhënie të tillë me pikturën. Në kohën kur është problemi i errët i internetit, tek kjo ekspozitë shoh një shpresë, një shpresë njerëzore, që e shoh tek fëmijët. Kur kishim shkuar pothuajse në fund të organizimit të ekspozitës ndjeva se diçka mungonte. Ideja për pjesëmarrjen e fëmijëve në këtë ekspozitë më erdhi sepse interneti sa vjen dhe po ndikon në ftohtësinë e marrëdhënieve njerëzore. Ku ata u shkëputën disa ditë nga interneti dhe u vunë në punë, idetë e tyre ishin të mrekullueshme” -tha Helidon Gjergji.
I pyetur nëse do të jetë ky rasti që fëmijët të jenë më të lirë që mos importohet tek ata “dhuna” e imazhit, Helidon Gjergji përgjigjet:
'Gjatë kohës që ishin në ekspozitë me mua, fëmijët qëndruan aty rreth tre orë, që është një orar shumë i gjatë për fëmijët e kësaj moshe, por ata ishin kaq të interesuar për projektin, sa ky bashkëpunim zgjati për tre orë. Pa celuar, dhe pa akses në internet, ata u përfshinë në bisedën sesi mund të vizatonin një mace dhe çfarë u kujtonte prania e saj apo kontakti me të fëmijëve. Këtë e shprehën me vizatim.'- tha Gjergji.
Për jetën e tij në Amerikë Helidon Gjergji përgjigjet se:
'Amerika është një miniunivers, ku ka një farë koncentrimi të botëve të ndryshme, ka një energji të botës së artit për t’u admiruar. Është një plus i madh si artist dhe e ndjej veten me fat të jem në një lëvizje të tillë energjie. Por Shqipëria është ndryshe. Shqipëria është si një minierë që është në eksploriim e sipër, në një kat të minierës është primitive, në një kat tjetër është shumë më e avancuar se vendet e avancauara dhe e bënë kërkimin artistik interesant dhe ajo që mua më entuziazmon për Shqipërinë është e papritura. Është ai elementi i befasisë, i të panjohurës që mua më intrigon si artist.
Është freskia e një vendi. Unë kam mbi tridhjetë që jam larguar, dhe kur vij këtu sërish më duket sikur nuk jam larguar ndonjëherë, prandaj kur vij këtu ndihem si në shtëpinë time, pavarësisht se nuk jam rezident i vazhdueshëm në Shqipëri, Shqipëria ngelet shtëpia ime, nuk ka dyshim. Shqipëria ndryshon si të gjithë vendet, por ndoshta ka një dimanikë më të shpejtë, dhe gjen ndryshime me të vërtetë të pabesushme për një kohë kaq të shkurtër. E megjithatë ka gjëra që nuk kanë ndryshuar, diçka nga kontekesti familjar e shoqëror që janë aty i ndjej që akoma nuk kanë ndryshuar dhe shpresoj që të mos ndryshojnë se janë relacione mjaft të ngrohta shoqërore e familjare që nuk i gjen në vend tjetër, ashtu siç i kemi ne. Ka shpresë që marrëdhëniet njerëzore të mbijetojnë kundrejt marrëdhënieve dixhitale.'
Dëshira e Helidon Gjergjit për të ndërgjegjësuar audiencën me një mesazh social përmes ekspozitës, nuk të ofron thjesht një përgjigje automatike.
'Janë tri vepra, dhe të trija janë si kapituj të një libri. Tri aspekte të artit, piktura, vizatimi dhe fotografia dhe fillova ta kërkoja artin në internet dhe çfarë do të thonë këto tri mediume në botën e internetit dhe u shokova, sepse sheh hipokrizinë, sheh “Mbretin lakuriq”, nëse i referohemi përrallës së Andersenit, nëpëmjet internetit. Është një hipokrizi që shihet nga të gjithë, por askush nuk do ta pranojë.'- tha ai.
Interneti është një mjet komunikimi, por mënyra sesi e përdor tregon sa mund të jetë ose jo e vlefshme. Tema “Në kërkim të artit”, mund të ishte edhe në kërkim të së vërtetës, edhe në kërkim të COVID, por mora botën e artit, se i përkas kësaj”-thotë artisti.
“Ai habit në ekspozitën, ku do të shihni sesi mund të jetë krijimtaria artistike një armë paqësore në duart e një kërkimi më të vetëdijshëm për dije, duke nxjerrë nga motorët e kërkimit dhe bota e imazheve të mediave sociale që tani janë bërë pjesë integrale e jetës sonë, duke marrë një kuptim tjetër nga ai që kishte më parë, dhe duke i thjeshtuar dukshëm sferat e emocioneve, fjalëve, koncepteve, mendimeve, nevojave kulturore dhe intelektuale, duke i reduktuar ato në një "më pëlqen" ose "nuk më pëlqen". A e meriton kjo histori një zemër apo jo?”-thotë kuratorja italiane Santa Nastro.
Artisti Helidon Gjergji dhe kuratorja Santa Nastro përmes këtij eksperimenti artistik, besojnë se njeriu me inteligjencën e tij, me nevojën për të qenë bashkë, për të qenë social, është më i fortë. Njeriu nuk mund të bëhet skllav i rrjetit elektronik. Këta fëmijë i vunë vulën këtij mesazhi.