Kanë kaluar tetë ditë nga helmimi i fëmijëve në kopshtin publik të Gramshit dhe ende nuk dihet shkaku. Isa Basha, drejtor i Shërbimeve Sociale në bashkinë Gramsh tha se përveç fëmijëve, nga stafi i kopshtit, ka rezultuar pozitiv edhe psikologia e shkollës, e cila sipas tij, nuk ka konsumuar ushqim aty.
“Ne kemi marrë në datë 23 për një fëmijë të shtruar në spital, ku mjekja kërkoi analiza të shtuara pasi dyshonte se ishte prekur nga salmonela. Kishte pasur dedhe tre shtrime të tjera, por njëri ishte me salmonelë. Vumë në dijeni autoritetet përkatëse, e cila mori masat e saj. Vumë në dijeni njësinë vendore e cila mori analizat e fëmijëve prezent në kopësht, bllokoi ushqimet dhe më vonë u morën për t’u çuar në laboratorët në Tiranë. Nga 4 fëmijë që u shtruan, 2 morën shërbime ambulator në shtëpi, pra 6. Të prekur rezultuan edhe 9 të tjerë. Janë 16 fëmijë të prekur deri tani. Ne kemi një komision që merret me pranimin e ushqimeve që vijnë çdo javë. Vijnë me fletë analizë dhe me makina frigoriferike, depozitohen në kopshtin nr 1, pasi kalojnë kontrollin nëpërmjet një komisioni prej 4 vetash. Ata kanë marrë të gjithë provat, nga policia, prokuroria dhe institucionet shëndetësore dhe ata do të nxjerrin shkakun.”, u shpreh Basha.
Eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj thotë se salmonela mund të transmetohet përmes ushqimit, ujit por edhe nga njerëzit. Megjithatë, ai përjashtoi mundësinë që mund të ketë ardhur nga uji, pasi do të kishte më shumë raste të të prekurish dhe jo vetëm në kopshtin nr.1 në Gramsh. Sipas tij, me duart e kontaminuara, mund të kontaminohen enët apo sipërfaqet e ndryshme.
Eksperti thekson se hetimi dhe kontrolli duhet të fokusohet fillimisht te ushqimi dhe njerëzit. Nëse në të dyja rastet konfirmohet se kemi prani të salmonelave. atëherë burimi kryesor është ushqimi.
"Në mënyrë emergjente kërkohet që specialistë që njohin epidemiologjinë e salmonelave duhet të investigojnë dhe kontrollojnë shkakun. Kontrolli i parë janë personat e sëmurë, që kanë shfaqur shenja klinike, të merren feçet dhe të shihet nëse ka prani të salmonelave ose jo. Pastaj paralelisht duhet të vazhdohet dhe kontrollet ushqimi i përdorur, të merren mostra të paktën brenda një jave të ushqimeve që janë përdorur dhe të kontrollet nëse arrihet rezultati se kemi salmonelë në njerëz dhe të gjendet shkaku nga ka ardhur. Të kontrollohen të gjithë personat që kanë shërbyer në kopësht, se mund të ketë infeksione të fshehura të salmonelave. Nëse kemi salmonelë në njerëz, të gjejmë shkakun nga ka ardhur. Mudn të gjendet nëpërmjet ushqimit, por të merren tampona edhe nga sipërfaqet. Të kontrollohen të gjithë personat që kanë shërbyer në kopësht. Shumica e kalojnë infeksionin pa shenja klinike të qarta, me dhimbje barku e diarre të lehtë.", u shpreh ai.
Ai tha se duhet të krahasohen shtamet e kontaminimit të fëmijët dhe psikologia për të kuptuar nëse është i njëjti burim kontaminimi.
“Të krahasohen dy grupet e shtameve, të gjetura te fëmijët, me shtamin që mbart psikologia. Në këtë mënyrë, nëse shtami është i njëjtëm atëherë burimi i kontaminimit ka qenë i njëjtë.”, tha ai.
Për konfirmimin e saktë, ai tha se duhet të paktën 5 ditë.
“Të vazhdojë investigimi dhe hetimi epidemiologjik, për këtë kërkohen njerëz të speicalizuar. Nuk bëhet kjo me persona të bashkisë, por mjekë epidemiologë që të hetojnë rastin dhe të orientojnë në kryerjen e analizave të mëtejshme. Të dyja institucionet si ISHP, dhe ISUV, ka njerëz të kualifikuar. Instituti i Veterinarisë ka përvojë të mirë në identifikimin e salmonelave dhe e realizon analizën. Edhe në ISHP ka kolegë të kualifikuar. Kërkohet kohë, minimumi 5 ditë për të arritur në konfirmimin e saktë të salmonelave. Kërkohet një inkubim i gjatë për të arritur në identifikimin përfundimtar. Besoj se ISHP do të japë versionin e saj zyrtar, nëse kemi rast konfirmimi ose jo ose për shkaktarë të tjerë.”, u shpreh Sulaj.
Komente
