Fëmijët e kopshtit nr. 1 në Gramsh janë helmuar nga vezët, të cilat kanë rezultuar të kontaminuara me salmonelë. Kopshti publik furnizohej me ushqime nga kompania “Nelsa” Shpk, e cila ka fituar tenderin nga bashkia e Gramshit. Përgjigja e analizave ka dalë sot nga laboratori i ISUV në Tiranë, por AKU nuk ka marrë asnjë masë për të ndalur zinxhirin e infektimit.
AKU nuk iu përgjigj interesimit të REPORT TV për vendin e origjinës së vezëve apo masat e tjera që mund të merren për të frenuar infektimin e personave të tjera me salmonelë.
Helmimi i fëmijëve të kopshtit në Gramsh ka ndodhur më 20 Maj dhe ngjarja është mbajtur e fshehur deri më 25 Maj, kur prinderit e fëmijëve denoncuan në rrjetet sociale. Institucionet janë vënë në levizje për të kryer analizat vetëm pas denoncimit të prinderve. Deri më tani ISHP-ja ka konfirmuar infektim me salmonelë të 17 fëmijëve, ndërsa në total janë marrë 79 mostra.
Prindërit i mbajnë fëmijët në shtëpi prej disa ditësh, ndërsa kopshti pritet të hapet të hënën por pa shërbimin e drekës.Gazetari Rolando Gjoshi raporton se kuzhina është mbyllur me vendim të ndërmjetëm nga AKU deri më 6 qershor.
Prindërit e fëmijëve dolën në protestë para bashkisë, duke kërkuar hetim të personave përgjegjës dhe marrjen e masave për sigurinë ushqimore. Ndërkohë, në një reagim presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli thotë se situata përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, veçanërisht në rastet kur produkti konsumohet pa përpunimin e duhur termik.
“Prania e Salmonella spp. në vezë mund të shkaktojë sëmundje akute gastrointestinale tek konsumatorët, me pasoja serioze për grupet më të ndjeshme të popullatës (fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna, persona me imunitet të ulët).
Bazuar në këtë situatë, rekomandojmë që:
Të ndërmerren menjëherë masa për ndalimin e tregtimit të këtij produkti.
Të gjurmohet dhe izolohet loti i vezëve të kontaminuara.
Të kryhet një kontroll sanitar-veterinar i plotë në fermën ose subjektin që ka prodhuar ose shpërndarë produktin.
Të njoftohet konsumatori dhe të garantohet asgjësimi i produktit të pasigurt, sipas procedurave ligjore.
Përgjegjesia bie mbi AKU për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.”, shkruan Resuli.
Salmonella është një bakter që gjendet zakonisht te mishi i pulës dhe vezët ndaj dyshimet e para janë tek kompania private “Nelsa shpk”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin e kopshtit me ushqime.
Dokumenti i publikuar nga Resuli
Komente
