Helmimi i opozitarit rus Navalny/ Reagojnë liderët ndërkombëtarë! Kremlini hedh poshtë akuzat...'Ska arsye për sanksione'

3 Shtator 2020, 11:00| Përditesimi: 3 Shtator 2020, 13:05

  • Share

“Alexei Navalny ka qenë viktimë e një sulmi kimik me një agjent nervor të grupit ‘Noviçok’. Ky helm mund të identifikohet në mënyrë të pagabueshme nga analizat. Është e qartë se Alexei Navalny është viktimë e një krimi. Kanë dashur ta bëjnë të heshtë, dhe unë, bashkë me gjithë qeverinë gjermane, e dënoj këtë veprim në mënyrë më të fortë të mundshme”.

Kështu deklaroi Kancelarja gjemrane Angela Merkel pasi më parë qeveria që ajo drejton deklaroi se kryeopozitari rus ishte helmuar. Me indinjatën  e kancelares u bashkuan edhe liderët  botërorë që të gjithë sëbashku dënuan aktin

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se "Ky është një akt i neveritshëm dhe frikacak dhe bëri thirrje që autorët e krimit të vihen para drejtësisë."

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell u shpreh se Unioni dënon me forcë helmimin e Navalny dhe shtoi se “Përdorimi i armëve kimike si Novichok me të cilin është helmuar opozitari i Kremlinit, është plotësisht i papranueshëm dhe në shkelje të ligjeve ndërkombëtare”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi përdorimin e agjentit nervor duke e konsideruar aktin ‘tronditës’ dhe në vazhdim të deklaratës së tij  ai u shpreh se do të vazhdojë konsultimet me aleatët.

Kryeministri britanik Boris Johnson e konsideroi përdorimin e kësaj lënde kimike si tejet të rëndë dhe i bëri thirrje qeverisë ruse të shpjegojë atë që i ka ndodhur Navalny-t.

Edhe Zëdhënësi  sekretariatit të sigurisë kombëtare të SHBA John Ullyot u shpreh se  "Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga rezultatet e publikuara. Helmimi i Alexei Navalny është plotësisht i dënueshëm".

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se autoritetet ruse janë "të gatshme dhe të interesuara për bashkëpunim të plotë dhe shkëmbim informacioni".  Ndërkohë që Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova akuzoi se Gjermania po jep deklarata publike pa dhënë asnjë fakt.

Peskov, duke hedhur poshtë akuzat tha se nuk sheh asnjë arsye për ndonjë sanksion kundër Rusisë.

"Ne nuk e kuptojmë se cila mund të jetë arsyeja e ndonjë sanksioni," tha Peskov. "Unë do t’i zgjidhja fjalët e mia me kujdes kur bëhet fjalë për akuza kundër shtetit rus sepse nuk ka akuza për momentin dhe nuk ka asnjë arsye për të akuzuar", vazhdoi zëdhënësi i Putin.

Dje qeveria gjermane deklaroi se kryeopozitari rus është helmuar dhe se testet e kryera në mostrat e marra kanë treguar për praninë e një agjentit nervor të epokës Sovjetike, ‘Novichok’ me të cilin gjithashtu u helmua edhe ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij në Britani. 

Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, tha se testimi nga një laborator i posaçëm ushtarak gjerman kishte treguar prova të "një agjenti nervor kimik nga grupi Novichok".

Seibert tha gjithashtu se qeveria gjermane do të informojë partnerët e saj në Bashkimin Europian dhe NATO rreth rezultateve të provave. Ai u shpreh se do të konsultohet me partnerët "për një përgjigje të përshtatshme të përbashkët ndaj Rusisë".

Më herët partnerët perëndimorë të Rusisë, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kishin bërë thirrje për një hetim transparent mbi helmimin e Navalny kurse Kremlini kishte sugjeruar në vend të kësaj të mos dilet në përfundime të nxituara për atë që ka ndodhur me kryeopozitarin derisa të ketë prova të sakta për helmimin e disidentit.

Navalny, i cili është një nga kritikët më të ashpër të Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi nga qyteti Tomsk për në Moskë. Pas një ulje emergjente në Omsk, politikani u shtrua në spital në kujdesin intensiv në spitalin e qytetit siberian.

Pasi mjekët rus hoqën dorë nga kundërshtimi për ta lejuar atë të transferohej në Gjermani, familja arriti që ta çonte 44-vjeçarin në një klinikë në Berlin, ku stafi mjekësor konfirmoi tezën e helmimit, tezë kjo që është mohuar me forcë nga Moska

Ora 17:34
Qeveria ruse e përfshirë në helmimin e Navalny? ‘Agjentin nervor Novichok nuk e kanë kriminelët e zakonshëm’

Një aleat i ngushtë i kryeopozitarit rus Aleksej Navalni, tha se përdorimi i agjentit nervor të llojit Novichok në helmimin e Navalnit tregon përfshirjen e qeverisë.

Komentet u bënë nga Ivan Zhdanov, kreu i Fondacionit Antikorrupsion në Rusi.

Ai tha se “Këto substanca helmuese të shkallës ushtarake mund t’i përkasin vetëm qeverisë, janë vetëm në duart e shërbimeve speciale dhe nuk ka gjasa që ato t’i ketë një kriminel i zakonshëm ose dikush që do të donte të dëmtonte Navalnin.”

Sot Kremlini hodhi poshtë akuzat se Rusia ishte përgjegjëse për helmimin e Navalnit dhe tha se nuk shihte arsye që kundër Moskës të vendoseshin sanksione për këtë çështje.

Ora 16:29
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike: Helmimi i opozitarit të Kremlinit Navalny, akt i papranueshëm

"Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPAC) vazhdon të monitorojë situatën dhe është e gatshme të angazhohet dhe të ndihmojë në hetime” – Kështu deklaroi drejtori i përgjithshëm i Opac, Fernando Arias pas lajmit tw qeverisë gjermane se kryeopozitari rus Aleksei Navalny është helmuar

"Sipas Konventës së Armëve Kimike, çdo helmim i një individi përmes përdorimit të një agjenti nervor konsiderohet të jetë përdorimi i armëve kimike – theksoi Arias.

 Ai tha gjithashtu se përdorimi i armëve kimike nga kushdo, në çdo rrethanë është akt i papranueshëm dhe plotësisht në kundërshtim me normat ligjore të bashkësisë ndërkombëtare.

Ora 11:33
Opozitari rus u helmua me agjent nervor/ Çfarë është Novichok, ‘arma ruse’ për eliminimin e kundërshtarëve

Deklaratat e qeverisë gjermane se lideri rus opozitar rus është helmuar me Novichok, solli edhe njëherë në qendër të vëmendjes agjentin nervor rus, i cili ka shkaktuar bujë të madhe në 2018 pas helmimit të ish-spiunit rus dhe vajzës së tij.

1.Çfarë është Novichok dhe cilat janë simptomat e tij?

Novichok është një agjent nervor tepër toksik që ngadalëson punën e zemrës, paralizon muskujt e frymëmarrjes dhe nëse doza është e madhe mund të shkaktojë vdekje nga asfiksia. Në përgjithësi, agjentët nervorë janë kimikate shumë toksike që mund të jenë gaz, aerosol ose lëng dhe mund të thithen përmes lëkurës ose të gëlltiten përmes ushqimit ose pijeve të helmuara, mund të jenë të pastër dhe pa ngjyrë apo pa erë

2. Nga vjen Novichok?

Zhvillimi i Novichok filloi në bashkimin Sovjetik diku midis viteve 1970 dhe 1990.

Novichok do të thotë 'i porsaardhur' dhe është një nga agjentët nervorë më të rinj që janë zhvilluar.

3. Çfarë dimë për helmimin e Alexei Navalny?

Alexei Navalny është arrestuar vazhdimisht dhe është ndaluar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale. Më 20 gusht, ai u sëmur në një fluturim nga Siberia për në Moskë, si pasojë ai ra në koma.  Disa ditë më vonë ai u dërgua në Gjermani për mjekim, në spitalin Charite të Berlinit.

Mjekët gjermanë kryen teste të gjera por refuzuan të komentojnë rastin, ndërsa rezultatet ishin në pritje. Brenda natës, Qeveria e Gjermanisë njoftoi se testet toksikologjike provuan se Navalny u helmua me Novichok.

4. A ka pasur raste të ngjashme më parë?

Hera e fundit që Novichok u bë lajm në të gjitha mediat ndërkombëtare ishte në vitin 2018 kur ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia Skripal u helmuan në Salisbury në Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet britanike thanë se Novichok ishte përdorur në formë të lëngët. Rusia mohoi çdo përfshirje në sulm.

Rasti i tyre nuk ishte rasti i vetëm i helmimit nga Novichok. Ish spiuni rus Alexander Litvinenko vdiq në Londër në 2006 pasi u helmua me çaj radioaktiv.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?