Një hetim i gjerë, penal dhe epidemiologjik, që përfshin disa institucione ka nisur për rastin e rëndë të helmimit të fëmijëve të kopshtit nr 1 në Gramsh, në fillim të javës së kaluar.
Policia e Elbasanit njoftoi se dorëzoi çështjen në prokurori, ndërsa thotë se pasi u njoftua nga rrjetet sociale për ngjarjen sekuestroi kartelat klinike të 6 fëmijëve që u shtruan në spitalin e Gramshit, të cilët kanë rezultuar se janë prekur nga salmonela, fëmijë të gjithë të moshës 3 deri në 6 vjeç.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për vlerësim, pasi më datë 24.05.2025 është marrë dijeni nga rrjetet sociale se në Kopshtin Nr.1 Gramsh janë helmuar nga salmonela disa nga fëmijët e këtij kopshti.
Në spitalin e Gramshit janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore 6 fëmijë dhe janë bërë analizat për të gjithë fëmijët dhe personelin e këtij kopshti. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar Kartelat Klinike për 6 pacientët e shtruar në spitalin e Gramshit, janë sekuestruar Procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr.1, si dhe janë marre mostrat nga ushqimi për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike. Gjithashtu, është bërë dhe bllokimi i produkteve ushqimore të mbetura në kuzhinën e këtij kopshti. Të gjitha veprimet janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.”, njofton policia.
Drejtoresha e spitalit të Gramshit, Greta Lena foli një ditë më parë për Report TV, e cila konfirmoi se në spital ishin paraqitur fëmijë me salmonelë, por situata ishte nën kontroll. Sipas saj, tre fëmijë ishin paraqitur në urgjencë në fillim të javës dhe se ishte kryer edhe dezinfektimi i ambienteve të kopshtit.
“Nuk është i vërtetë numri që qarkullon në mediat sociale. Tre fëmijë janë paraqitur në urgjencën e spitalit Gramsh në fillim të javës. Fillimisht është paraqitur një fëmijë me simptoma më të rënda, me temperaturë të lartë, diarre dhe të vjella. E referuam për ekzaminime te higjiena dhe analizat konfirmuan prezencë të bakterit salmonelë. Më pas në spital mbërritën edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta, frekuentues të kopshtit, ku analizat laboratorike konfirmuan sërish prezencë salmonele. U krye menjëherë dezinfektimi i ambienteve të kopshtit dhe në vijim, të paktën në spital, nuk janë paraqitur më raste fëmijësh me simptoma,”, deklaroi ajo për Report TV.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se jo vetëm nga ambientet e kopshtit të Gramshit por edhe në magazinat e kompanisë që e furnizonte me ushqime në Tiranë, ‘Nelsa SHPK” janë marrë monstra për t’u bërë analizat. Kjo kompani në pronësinë e Elsa Kamberi ka fituar tenderin 24 muaj për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në Gramsh me ushqim, ndërsa furnizon me ushqim spitalet dhe burgjet. Nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë bënë me dije për Report Tv se përgjigja pritet ditën e hënë.
Analizat u janë marrë 72 personave, 53 fëmijë dhe 19 anëtarëve të stafit të kopshtit dhe të gjithë janë në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Përfundimet do të mund të zbardhin se sa prej tyre janë prekur nga salmonela. Nga analizat e kryera në spitalin e Gramshit rezultuan 3 fëmijë të prekur. Burime thonë se një fëmijë ka qenë i shtruar i pari, ai është trajtuar dhe më pas është çuar në shtëpi. Pas tij kanë shkuar edhe 5 të tjerë me simptomat më të lehta.
Ende e paqartë se nga ka ardhur salmonela, ndërsa specialistët japin tre variante, ku më kryesori është nga ushqimi, mundësia e dytë nga uji por nuk përjashtohet që një prej fëmijëve të ketë qenë bartës dhe ua ka transmetuar të tjerëve.
Episodi i helmimit masiv ka ndodhur të martën e 20 majit, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga institucionet shëndetësore dhe vendore. Ngjarja u bë publike mesditën e së shtunës nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij. Për ngjarjen ka reaguar edhe shoqëria civile, ndërsa qytetarët në Gramsh kanë paralajmëruar edhe një protestë të hënën.
Qëndresa Qytetare ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur në kopshtin nr.1 në Gramsh, ku disa fëmijë dyshohet se janë helmuar nga bakteri i salmonelës.
Në një reagim, organizata shprehet se fakti që policia është informuar nga rrjetet sociale tregon mangësitë në institucionet publike shqiptare, ndërsa kërkon që prindërit të ngrihen në protestë për të kërkuar transparencë pasi fëmijët e tyre janë vënë në rrezik.
Sipas Qëndresës Qytetare, duhet të nisë menjëherë hetimi edhe ndaj kompanisë që ka fituar tenderin për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në këtë bashki, dhe t’i pezullohet licenca deri në sqarimin e ngjarjes.
“Ç’organizimi i organizuar i institucioneve publike u ekspozua edhe sot kur Policia e Elbasanit lidhur me ngjarjen e rëndë të helmimit të 70 fëmijëve të kopshtit publik të Gramshit, njofton se e ka marrë vesh në rrjetet sociale.
Qëndresa Qytetare informohet se është kompania “Nelsa shpk”, e cila sipas dokumenteve zyrtare ka fituar tenderin për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që nga qershori i vitit 2023.
Në kushtet kur ka nisur hetimi për rastin konkret, kësaj kompanie duhet urgjentisht t’i pezullohet liçenca deri në sqarimin e rrethanave të plota të kësaj ngjarje të rëndë.
Qëndresa Qytetare kërkon që të gjitha institucionet të bëjnë transparence maksimale për rastin e helmimit të 70 fëmijëve në kopështin public të Grashmit.
Qëndresa Qytetare fton prindërit të dalin në protestë për të kërkuar transparence, pasi shëndeti i fëmijëve të tyre nuk mund të jetë në mëshirë të babazisë.", thuhet në reagim.
Komente
