Kronikë

Helmimi nga uji i pijshëm në Krujë, mbi 370 qytetarë në urgjencë, mes tyre 70 fëmijë! Del analiza e Ujësjellësit: U konstatua prezencë e amoniakut mbi normë! Mos pini ujin e mbetur në depozita

Nga mëngjesi i së dielës e deri më tani, numri i pacientëve të paraqitur në urgjencën e Krujës, me simptoma helmimi, ka shkuar në mbi 370, mes të cilëve 70 fëmijë. Aktualisht të shtruar në spitalin e Krujës ndodhen ende 30 pacientë, që po marin mjekimin. Dyshime janë se helmimi është shkaktuar nga uji i pijshëm, ndërsa ende pritet të dalë përgjigjja e analizave të mostrave të ujit nga ana e ISHP-së.

Por në një reagim zyrtar Ujësjellësi i Krujës, thotë se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

“Gjithsesi, jemi në pritje edhe të analizave më të detajuara mikro – biologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit dhe do të shërbejnë për çertifikimin e furnizimit në vijim të popullatës me ujë të pijshëm”, thotë Ujësjellësi i Krujës që thekson se ka nisur dezinfektimi i depove të qytetit me anë te proçesit të klorinimit.

E pranishme në Spitalin e Krujës, për të parë nga afër gjendjen e pacientëve, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se fluksi i tyre në spital ditën e sotme ka patur një rënie. Pavarësisht dyshimit kryesor se shkak i helmimeve masive në Krujë është bërë uji i pijshëm, ku ujësjellësi u inaugurua vetëm pak muaj më parë, Ministrja shprehet se hetime epidemiologjike po kryhen në disa pista.

Drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta shprehet se situata është nën kontroll dhe se nuk ka patur raste pacientësh që të kenë shfaqur komplikacione të rënda.

"Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur mbi 300 qytetarë. Nuk ka patur raste të rënda që t'i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll", thotë ajo.

Pacientët e shtruar në spital shprehen se kanë patur dhimbje të forta barku e koke dhe të gjithë pohojnë se kanë pirë ujë nga ai që i vjen në çezma.

“Kam që mbrëmë në darkë që më kanë filluar shqetësimet, sot jam shtruar. Jam nga Kruja, filloi barku fillimisht dhe më pas koka. Kemi pirë ujë nga çezma”, tha një banor nga Kruja i shtruar me shenja helmimi.

“Dje pasdite kam pasur shqetësime, kemi pirë ujë, sot jam në spital”, tha një paciente e moshuar.

Një tjetër pacient pohon se ata kanë kaluar të njëjtën situatë edhe 3 muaj më parë, ku kanë patur simptoma helmimi, megjithatë nuk ka patur raportime për një gjë të tillë. Dyshimet e para për helmimin e qytetarëve në Krujë lidhen me uji i pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit, që qytetarët e konsumojnë masivisht nga çezma, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet.

Nga ana e personelit të shëndetit publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim, e ndërkohë është ndërprerë furnizimi në të gjithë qytetin deri në daljen e përgjigjeve zyrtare. Policia ka njoftuar organet e shëndetit publik dhe të Autoritetet Kombëtar të Ushqimit, për të sqaruar situatën.

 

 

 

Ora 18:23
Pas shumë orësh, Bashkia e Krujës nis shpërndarjen e ujit me bote

Siç shihet edhe nga fotot Bashkia e Krujës pas shumë orësh ka shpërndarë ujë me bote për qytetarët të cilët për Report Tv pohuan se gjatë ditëve të fundit e kanë blerë ujin në mënyrë që të mos helmohen si shumë qytetarë të tjerë.

Ora 17:04
370 të helmuar, zbardhen analizat e Ujësjellësit të Krujës: Është konstatuar prezencë e amoniakut në ujë mbi normë! Mos konsumoni ujin e mbetur në depozita

Në një reagim zyrtar Ujësjellësi i Krujës, thotë se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. 

Në reagim thuhet që në burimet në Shkretë dhe Livadhe dhe depozitat e qytetit, parametrat fiziko-kimike kanë rezultuar brenda normave. 

“Gjithsesi, jemi në pritje edhe të analizave më të detajuara mikro – biologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit dhe do të shërbejnë për çertifikimin e furnizimit në vijim të popullatës me ujë të pijshëm”, thotë Ujësjellësi i Krujës që thekson se ka nisur dezinfektimi i depove të qytetit me anë te proçesit të klorinimit.

Në mënyrë që të shmangen raste të tjera helmimi, Ujësjellësi i kërkon qytetarëve të zbrazin depozitat.

‘Në vijim të situatës së ndodhur në qytetin e Krujës, ku gjatë ditës së djeshme, e Hënë datë 25/10/2021, janë paraqitur për ndihmë mjekësore një numër i konsiderueshëm banorësh pranë Spitalit Bashkiak “Stefan Gjoni” Krujë me komplikacione shëndetësore, të cilat dyshoheshin si shkak prej konsumimit të ujit të pijshëm, sqarojmë si vijon :

Menjëherë, si masë e parë prej dyshimit të ngritur, në orën 10:30 të ditës së Hënë, Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Krujës dhe nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë kryer analizat e ujit në burim, në depot e qytetit dhe në pikat fundore të rrjetit shpërndarës. Gjithashtu, nga ana e Institutit të Shëndetit Publik janë marrë mostra të ujit dhe disa kampione tek pacientët e hospitalizuar për të analizuar dhe gjetur shkaqet më të detajuara.

Nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së dielë, në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë dhe në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen veprat e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. Gjithsesi ky rast mbetet për tu verifikuar pasi analizat periodike te kryera nga laboratorët e NjVKSh përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale.

Dje janë analizuar edhe mostrat e ujit nga veprat e marrjes në Shkretë dhe në burimin e Livadheve, ku parametrat fiziko – kimike të të cilëve kanë rezultuar të jenë vazhdimisht brënda normave. Sot, janë analizuar nga NjVKSh mostrat e marra nga depozitat e qytetit të cilat kanë rezultuar brënda normave të lejuara. Gjithsesi, jemi në pritje edhe të analizave më të detajuara mikro – biologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit dhe do të shërbejnë për çertifikimin e furnizimit në vijim të popullatës me ujë të pijshëm.

Përsa i përket furnizimit të popullatës me ujë të pijshëm në ditët në vijim, sqarojmë se UKK Krujë po vijon me dezinfektimin e depove të qytetit me anë te proçesit të klorinimit, ndërkohë analizat fiziko–kimike dhe ato mikrobiologjike do të çertifikojnë ri-fillimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët. Në mënyrë që të shmanget çdo rast i mëtejshëm kontaminimi, kërkohet që të mos konsumohet uji në depozitat familjare dhe dhe të bëhet zbrazja e tyre me qëllim pastrimin përfundimtar të rrjetit deri në pikat fundore. Ndërkohë që autorizimi i përdorimit të ujit të pijshëm do të njoftohet nga UKK Krujë dhe Bashkia Krujë, pas çertifikimit të analizave përfundimtare nga ISHP të pikave fundore të shpërndarjes në të gjitha zonat e qytetit të Krujës.

Ekipi i punës i ngritur për manaxhimin e situatës me specialistët e UKK Krujë, Spitalit bashkiak të Krujës, Njësisë Vendore e Kujdesit Shëndetësor si dhe Institucioneve të tjera lokale dhe Qendrore, janë në gatishmëri për t’Ju përgjigjur kësaj situate deri në normalizimin e saj, situate e cila fatmirësisht po shkon drejtë stabilizimit pas komunikimeve të fundit me Spitalin Bashkiak.’- njofton ujësjellësi i bashkisë Krujë.

Ora 16:48
Helmimi nga uji në Krujë, reagon PD: Përgjegjëse qeverisja, hetimet të zbardhin të vërtetën

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma thotë se përgjegjës për vuajtje e krutanëve për shkak të helmimit të ujit është vetë qeverisja. Duma kërkon që hetimet të zbardhin të vërtetën.

‘Mbi 300 numri i të helmuarve nga uji, siç thonë vetë të shtruarit në spitale. Kjo katastrofë ka prekur fëmijë e të moshuar. Vuajtjet e sotme të krutanëve janë përgjegjësi e shkaktarëve të qeverisjes. Kujtojmë kur pikërisht për ujësjellësin në Krujë, Kryeministri bënte xhiron e cirkut të lëvizshëm të propagandës se vet të neveritshme. Hetimet duhet të zbardhin të vërtetën, kush luan me ujin, luan me jetën.’- shkruan deputetja e PD-së.

 

Ora 15:50
Prefekti tha se do të shpërndahej falas, pas më shumë se 5 orësh asnjë koli me ujë të pijshëm nuk u është dhënë banorëve

Pas më shumë se 5 orësh nga deklarata e prefektit të Durrësit, Roland Nasto i cili tha se në Krujë do të shpërndahej ujë falas, pas ndërprerjes së furnizimit për shkak të helmimeve masive, ende banorët nuk kanë parë asnjë autobot me ujë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, i cili po ndjek nga afër situatën e krijuar në qytetin e Krujës, tha se deri tani asnjë koli me ujë të pijshëm falas nuk shpërndarë në qytet për banorët. E madje asnjë bot që të furnizojë institucionet publike, siç u tha nga prefekti.

Ora 13:40
Helmimi i qytetarëve në Krujë, PD: Rama inaguroi ujësjellësin para zgjedhjeve, po preket jeta e qytetarëve për shkak të tenderëve korruptiv! Kushtet e spitalit, skandal

 

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë dhe institucionet si përgjegjëse për situatën e krijuar në Krujë, ku 370 qytetarë janë helmuar dhe dyshimet e para janë se shkak është bërë uji i pijshëm. Në spital, ku panë nga afër gjendjen e pacientëve, ishin deputete e PD, Oriola Pampuri dhe Dhurata Çupi.

Pampuri theksoi se ujësjellësi i Krujës u inagurua nga Rama vetëm pak para zgjedhjeve të 25 prillit, duke hedhur akuza se tenderi ishte korruptiv. Ajo vurio theksin edhe tek kushtet e spitalit të Krujës, që i konsideroi si shumë të rënda.

"Vizituan pacientët, kushtet spitalit linin shumë për të dëshiruar. Një numër kaq i larët personazh që janë helmuar, s'mund të jetë nga një ushqim sepse nuk kanë qenë në të njëjtin vend. Aludohet për ujin, ndërkohë kujtojmë që Edi Rama inaguroi tenderin korruptiv për ujësjellësin para zgjedhjeve. Sot është prekur jeta e qytetarëve për shkak të tenderave korruptiv të kësaj qeverie. Nuk dua ta politizoj situatën, por korrupsioni i qytetarëve i kushtoi sigurinë e jetës qytetarëve", tha Pampuri.

Deputetja Dhurata Çupi kërkoi që organet et drejtësisë të marrim masa për hetimin e kësaj çështje.

"Ne takuam qytetarët, një djalë 10 vjeç po ashtu i helmuar që e takuam në spital. Aludohet që mund të jetë nga uji. Ku janë organet e drejtësisë, çfarë masash ka marrë prokuroria për të siguruar provat? Pse nuk ka një sqarim se çfarë po hetojnë ata në lidhje me këtë çështje. Është masiv helmimi. Institucionet duhet të veprojnë në mënyrë urgjente", theksoi ajo.

Ora 13:02
Uji dyshohet se helmoi masivisht banorët në Krujë, ujësjellësi 'han pa porta'! S'ka roje e as kamera, dryni që mban mbyllur derën e rrethimit të jashtëm hapet me dorë (VIDEO)

Si 'han pa porta', kështu duket ujësjellësi në Krujë, ku mungojnë thuajse tërësisht masat e sigurisë. Uji dyshohet shkaku kryesor i helmimeve masive në Krujë, ku 370 qytetarë u paraqitën në spital për të kërkuar ndihmë, mes të cilëve edhe adoleshentë dhe 70 fëmijë, e nëse analizat do të vërtetojnë këto dyshime, nuk do të jetë një çudi.

Atë çfarë kërkon ligji për masat shtesë të sigurisë publike, në pikat që konsiderohen të një rëndësie të veçantë siç janë depot e ujit apo ujësjellësit, janë neglizhuar tërësisht në ujësjellësin e Krujës.

Në një vëzhgim të 'Report Tv' në terren rezulton se nuk ka roje që të mbrojë subjektin dhe e vetmja masë sigurie është një dry që mbyll portën e rrethimit të jashtëm, por që hapet lehtësisht me dorë. Po ashtu mungojnë edhe kamerat e sigurisë, ndërsa edhe kangjellat e rrethimit mund të kapërcehen krejt lehtësisht nga kushdo.

Ujësjellësi i Krujës u inagurua vetëm pak muaj më parë, gjatë fushatës elektorale, ndërsa qytetarët e Krujë konsumojnë masivisht ujin e rrjetit.

Qytetarët kanë filluar të shfaqin probleme shëndetësore, si dhimbje koke, dhimbje barku, diarre e të vjella që prej mëngjesit të djeshëm, e teksa dyshimet janë përqendruar te helmimi nga uji, furnizimi me ujë u ndërpre që prej mesditës së djeshme.

Ndërkohë janë marrë mostrat e ujit dhe përgjigjet e analizës epidemiologjike pritet të bëhen publike në orët në vijim.

Ora 12:03
Ndërprerja e furnizimit me ujë në Krujë pas helmimit masiv, Prefekti i Durrësit: Do shpërndajmë ujë falas për banorët

I pyetur nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, se si do të zgjidhet situata e banorëve të Krujës, të cilët tashmë kanë mbetur pa ujë për shkak të ndërprerjes së furnizimit pas helmimeve masive, Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, ka bërë me dije se do të shpërndahet ujë falas.

"Do merren masa nga pushteti lokal që të gjithë banorët do të marrin ujë të pijshëm, do shpërndajmë me autobot dhe koli për ujë të pijshëm", tha ai.

Ora 11:53
Helmimi i qytetarëve në Krujë, Ministrja e Shëndetësisë: Të shtruar edhe adoleshentë e fëmijë! Po hetojmë në disa pista

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pranishme në spitalin e Krujës, ku janë paraqitur 370 pacientë me simptoma helmimi, theksoi se tashmë kanë nisur hetimet epidemiologjike. Ndonëse dyshimet janë përqendruar kryesisht në helmimin nga uji i pijshëm, Manastirliu tha se po hetohet në disa pista.

"Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve që marrin shërbim në spitalin e Krujës. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione, nuk kemi ndonjë qytetar me gjendje të komplikuar shëndetësore. Janë rreth 370 qytetarë që janë paraqitur në spital ku kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Sot janë paraqitur 60 qytetarë. Tashmë janë edhe disa pacientë të tjerë që po marrin shërbim në urgjencë, janë rreth 30 qytetarë aktualisht. Ka edhe adoleshentë, fëmijë e të rritur. Sa i përket hetimit epidemiologjik, të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë po kryejnë të gjitha investigimet në të gjitha pista e mundshme. Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, janë një seri pistash që po investigohen. Po pyeten të gjithë qytetarët se çafër kanë konsumuar dhe do kemi rezultat përfundimtar kur të kemi rezultatin e analizave mikrobiologjike. Kemi marrë masa që nëse do të ketë raste të shtuara edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion për të pritur pacientët. hetimet po kryhen në shumë pista", tha ministrja.

Ora 11:38
Helmimi nga uji i pijshëm, përfaqësues të Inspektoratit të Shëndetit mbërrijnë në spitalin e Krujës! I kërkojnë llogari ujësjellësit: Përse na njoftuat me vonesë dhe jo që të dielën

Përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Shëndetit në spitalin e Krujës

Përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Shëndetit kanë shkuar në spitalin e Krujës ditën e sotme, për të kryer inspektime në lidhje me situatën e krijuar, pas shtrimit të numri i të lartë qytetarësh që janë paraqitur me simptoma helmimi. Dyshohet se helmimi është shkaktuar nga uji i pijshëm, ndërsa bëhet me dije se Inspektorati i Shëndetit i ka kërkuar llogari ujësjellësit të Krujës se përse nuk kanë njoftuar që të dielën, ku u shfaqen rastet e para të helmimit, për problemin, njoftim të cilin theksojnë se e kanë marrë vetëm dje.

Ora 10:53
Helmimi i qytetarëve në Krujë, Meta: Kërcënim serioz, të gjenden shkaktarët

320 qytetarë dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në Krujë. Prej mëngjesit të së dielës qytetarët i janë drejtuar spitalit, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ende nuk dihet shkaku i saktë i helmimit të tyre, ndërsa mësohet se mes pacientëve janë edhe 60 fëmijë. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar përmes një statusi në rrjete sociale Presidenti Ilir Meta.

Kreu i shtetit thekson se situata është alarmante, ndërsa shton se duhet trajtuar me përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore, përgjegjëse për shëndetin publik.

Presidenti Meta shton se ju uron shërim sa më të shpejtë qytetarëve, ndërsa përgëzon ekipet mjekësore për këjdesin dhe profesionalizmin e dëshmuar derimë tani.

“Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia.

Qytetarëve të helmuar, ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të rënda dhe afatgjata, si dhe ju shpreh familjeve të tyre të gjithë solidaritetin!

Mbështes dhe përgëzoj ekipet mjekësore për kujdesin dhe profesionalizimin e dëshmuar derimë tani dhe i nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare.”-shkruan Meta në rrjete sociale.

 

Ora 10:27
I bërë sterrë i zi nga ndotja, pacienti i shtruar në spital nga helmimi tregon filtrin e ujit: Ja çfarë kemi pirë

Një pacient i shtruar në spitalin e Krujës pasi ka patur shenja helmimi, ka treguar edhe foton e filtrit të ujit që ai ka vendosur në banesën tij, ku duket qartë ndotja e lartë. Filtri është bërë i zi, duke treguar cilësinë e dobët të ujit që i shkon në çezma banorëve të Krujës. Pacienti tregon se e njëjta situatë është përsëritur edhe para tre muajsh, ku ata kanë patur të njëjtat simptoma helmimi.

"Filtri i ujit në banesën time, unë e ndërroj një herë në muaj. Është shumë i ndotur. Po e le 3-4 muaj bëhet kështu. Kjo ka ndodhur edhe para tre muajsh, kemi patur kështu shqetësimesh", thotë ai.

1635236940_Sequence03.00001020.Still032.jpg

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 27/10/2021 01:19

    Interesante,amonjak ne sasi me te medha se norma dhe kjo situate ka ndodhur dhe para tre muajsh!Tani duhet gjetur kush perdor amonjak ne ato sasi,sa i derdh mbetjet e kontaminuara ne tokat,ose ujrat aty afer burimit dhe shkakton helmim,dhe duket qe i ben derdhjet cdo tre muaj.Ne cfare industrie perdoret amonjaku me sasi te medha?

    Përgjigju
  • Anonimi: 27/10/2021 00:46

    Kane turp keta apo jo? Po mijra specialiste ne shqiperi a kane turp dhe guxim qytetar te flasin dhe thone te verteten??? Po gazetaret qe zhgryhen kafeneve nuk dine te zbulojne te verteten??? Ta zeme se shiu kontaminoi ujin e pijshem, gje qe nuk ka asnje shanc, e kujt eshte pergjegjesia e rregullimit te parametrave, disinfektimit dhe shperndarjes tek konsumatoret??? UJESJELLESI!!!! E KA KRYER KETE DETYRE LIGJORE UJESJELLESI KRUJE?? JOOOO !!!!!! A ESHTE SKANDAL KY QE CENOI SIGURINE KOMBETARE DHE SHENDETIN E BANOREVE?? POOOOO!!! A KA PRANGA POLICIA DHE PROKURORIA PER PERGJEGJESIT??? JOOO sepse ju kane mbaruar duke lidhur fukarenjte. Imagjinoni te kemi nje akt terrorist sesa te mbrojtur jemi!!!!!!! Po bije amoniak nga qiellli o njerez, duhet te merrni cadra speciale se ndonje dite mund te bjere dhe m*t dhe ujesjellsi na e sjell direkt ne shtepi. Krim - Turp - Pandeshkueshmeri - Arrogance vrastare.

    Përgjigju
  • TA RRAS LALA: 26/10/2021 17:30

    O çfar turpi o çfar tmerri Edi Rama i jep privatve të fitojn lek me grushta me lekët e taksapagusve të varfër Shqiptar. E ska lek që të siguroi uj të pastër për lta taksapagus üo i ka lekët pë vemjet e ashuquajtur " pixgsesmen " tmerr çfar po heqin Shqiptarët e shkret. Kta jan më keq se krimineli enver pederast hoxha.

    Përgjigju
  • Tiku: 26/10/2021 17:17

    Po deputetet e zones ku jane?? Pse fshihen

    Përgjigju
  • Turi: 26/10/2021 14:22

    Ju ndyresira te felliqur plera bastarde po helmoni popullin dhe skeni piken e turpit dilni ne tv dhe beni propagande per arritjet e keshit qe keni bere duhet te beni vetevrasje e gjera pa vlere

    Përgjigju
  • Scutari: 26/10/2021 12:20

    Krujë rrjedh nga krua....thonë....dhe të helmatisesh në Krua nga kroi këtë nuk e them dot se si....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?