Hepatiti akut i cili është shfaqur kohët e fundit në botë dhe që deri në këto momente i ka marrë jetën 1 fëmije, është cilësuar si “misterioz” dhe nga pediatrja Sonila Brati, e cila konfirmoi se në vendin tonë ende nuk është raportuar asnjë rast.
E ftuar në “Sot Live në Shqipëri” ajo sqaroi se shkaqet e shfaqjes së këtij virusi mund të jenë adenoviruset që prekin kryesisht fëmijët ose edhe pasojat post-COVID19.
“Ende shkaqet janë të panjohura. Menduar se ishte një nga format e hepatit klasik, por ky mund të çojë deri në daljen jaht funksionit të mëlçisë dhe transplantim. Tek ne nuk kemi asnjë rast aktualisht. Është një virus që mendohet të ketë dy zanafilla. Adenoviruset, viruset më të zakonshmet që prekin fëmijët, ose pasojat e post COVID-19.”, tha ajo.
E pyetur lidhur me grupmoshat ku gjen “terren” hepatiti akut, ajo tha se më të predispozuar për t’u infektuar janë fëmijët nga mosha 1 deri në 17 vjeç.
“Sipas OBSH nga mosha 1 deri në 16-17 vjeç, mosha pediatrike.”, u shpreh ajo.
Këshilla e pediatres për të gjithë prindërit është që në momentin që ndjejnë se fëmijët e tyre janë pa qejf, duket menjëherë t’i drejtohen mjekut, që masat parandaluese të merren në kohë.
“Duke qenë se është akut, është shumë i shpejt. Janë dhe pasimptoma ndonjëherë, mund të mendojnë që është situatë virale. Prindërit duhet menjëherë të veprojnë nëse shohin fëmijën pa qejf, se është e vështirë të dallohet nëse ka hepatitet akut.”, tha pediatrja.
Brati e paralelizojë këtë hepatit në aspektin e njohurive rreth tij, me fillimin e pandemisë, kur ende nuk kishin informacione dhe nuk dinim si të vepronim përballë tij.
“Ky virus ende nuk ka një origjinë, mund të themi që jemi si në fillimin e COVID-19, sepse kemi shumë të panjohura. Është misterioz, duket sikur pandemia s’ka mbaruar akoma, kjo pasi edhe komplikacionet post-COVID vijojnë të jenë shqetësuese.”, u shpreh ajo.