Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe madje fajëson qeverinë në pushtet për bashkëpunim me presidentin serb. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për amnisti të grupeve kriminale në veri. Sipas tij, ka ndodhur një marrëveshje e fshehtë mes Kurtit dhe Vuçiç-it, ku presidentit të Kosovës i është kërkuar lirimi i ish-policit serb, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për terrorizëm dhe në të njëjtën kohë ishte edhe shkaku i vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.
“Është evidente se kryeministri Albin Kurti ka pasur një marrëveshje të fshehtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për heqjen e barrikadave, duke rënë dakord për lirimin e Dejan Pantiçit, i akuzuar për terrorizëm.
Krasniqi thekson se përveç lirimit të ish policit serb Pantiç është bërë i mundur gjithashtu edhe lirimi i Nikolla Nedelkoviç, i cili kaloi gjashtë muaj në paraburgim nën akuzat e Prishtinës për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës etnike.
“Por përveç tij janë liruar edhe të tjerë, po ashtu edhe Nikolla Nedelkoviç. Që ka negociata të fshehta është e dukshme. Lirimi i Pantiçit dhe Nedelkoviçit dje nuk ishte rastësi, nuk ishte rastësi as amnistia e grupeve kriminale, marrëveshja e kësaj qeverie për lirimin e banditëve të vendit tonë dhe mos ndjekjen e tyre, sepse duket se kjo ishte një shlyerje për largimin e barrikadat”, tha Krasniqi.
Krasniqi akuzoi Kurtin për papjekuri politike dhe vendimmarrje të nxituar në një situatë të tensionuar mes dy vendeve prej vitesh dhe jo vetëm në ditët ku barrikadat kanë qenë të vendosura.
“Qasja e gabuar në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha papërgjegjshmëria e tij për të përmbushur detyrimet e tij ligjore dhe kushtetuese, kanë sjellë një situatë të turpshme për vendin tonë, ku presidenti i Serbisë po na tregon nga Rashka se si dhe çfarë do të ndodhë në veri të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Lajmi kryesor:
Tensionet në veri të Kosovës, zhbllokim rrugësh pas tri javësh barrikada! NATO: Të gatshëm të ndërhyjmë nëse cenohet liria e lëvizjes
F.D/ReportTv.al