Besnik Bislimi takim me Lajçak

Heqja e dinarit serb, Kosova dhe Serbia në Bruksel për negociatat! Kryenegociatorët takim trepalësh me Lajçak

19 Mars, 07:56| Përditesimi: 19 Mars, 14:51

  • Share

BRUKSEL- Kosova dhe Serbia janë ulur sërish në tavolinën e negociatave në Bruksel. Fillimisht, ndërmjetësuesi evropian i procesit, Mirosllav Lajçak, priti kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa më vonë do të takojë edhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan edhe takim të përbashkët, me ndërmjetësimin e Lajçak.

Temë diskutimi është Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit serb, që ka sjell mjaft tensione mes dy vendeve. Ndërkohë, po ashtu do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, e cila tashmë ka bërë një vit nga nënshkrimi, por palët ende nuk kanë nisur zbatimin e saj.

Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve. Presidentja Vjosa Osmani tha se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës ndaloi përdorimin e dinarit serb.

Blloku evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kritikuar vendimin për dinarin, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që ka te komuniteti serb. Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë pezullojë vendimin, por deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka shfaqur sinjale se do të tërhiqet nga kjo rregullore.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?