Një takim trepalësh, mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, ka filluar në Bruksel, ku do të diskutohet për përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje për transferimin e mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.
Ky është takimi i pestë në Bruksel me pjesëmarrjen e kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviç nga Serbia, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.
Lajçak tha të martën se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur ta “ngushtojnë hendekun” lidhur me këtë temë. Megjithatë, takimi paraprak javën e kaluar në Bruksel, ku nuk pati takim trepalësh, përfundoi pa ndonjë rezultat.
Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re. Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.