Debutimi i ëndrrave për Joachim Correa-n i ka dhënë fitoren 1-3 me përmbysje Interit kundër Veronas. Javën e dytë të Seria A kampionët në fuqi e nisën në malore, pasi një gabim i kapitenit Handanovic u kthye në gol në minutën e 15 nga Ilic, që realizoi në mënyrë mbreslënëse.
Pas pjesës së parë kur Inter u pa pak në fushë, në të dytën, ekzaktësisht në minutën e 47 Lautaro Martinez riktheu baraspeshën me një gol në kokë. Në vijim trajneri Inzaghi aktivizoi Joachim Correa-n, futbollistin e blerë nga Lazio për 31 mln euro dhe që u vesh zikaltër vetëm të enjten.
Pavarësisht se për sezonin e ri nuk kishte zbritur kurrë në fushë në minutën e 83 Correa realizoi bukur me kokë, duke kaluar për herë të parë Interin në avantazh. Si të mos mjaftonte kjo 27-vjeçari argjentinas në minutën e katër shtesë me një goditje kirurgjikale kompetoi ‘dopietën’ personale në debutim, por edhe vulosi shifrat përfundimtare të takimit, që u fitua me jo pak vështirësi nga Interi.
Ndërkohë në Bundesligë Dortmund është rikthyer te fitoret pasi një javë më parë u mposht nga Freiburg. Verdhezinjtë në ‘Sigal Iduna Park’ ia dolën 3-2 në një ndeshje tejet dramatike. Pasi kishin kaluar dy herë në avantazh në minutën e 90 Dortmund u barazua 2-2 nga Hoffenhaim, duke shtangur jo vetëm lojtarët në fushë, por edhe tifozët në shkallët e stadiumit.
Gjithsesi Dortmund reagoi në mënyrë të rrufshme me heroin Haland, që në minutën e parë shtesë realizoi golin e tretë dhe të fitores.
Komente
