Kryeministri Edi Rama, dhe kryetari i Kuvendi, Gramoz Ruçi, i kanë uruar ditëlindjen profesorit të njohur Rexhep Qoses, i cili kishte 85-vjetorin e lindjes sot.
“Përulësisht i uroj edhe 100 një heroi të mendimit shqiptar, Profesor Rexhep Qoses”, shkruan Rama përbri videos së publikuar në Facebook, ku sjell një reportazh mbi jetën e profesorit të njohur.
“I dashur dhe i respektuar Profesor, sot ju festoni 85-vjetorin e lindjes. Dëshiroj të ndaj me ju gëzimin për këtë ditë të shënuar për ju, për Kosovën, për Shqipërine, për të gjithë shqiptarët. Ju uroj shëndet, jetë të gjatë, të lumtur e të begatë në shërbim të kombit. Ju, i dashur Profesor, jeni një ndër thesaret më të çmuara të kombit shqiptar. Kosova, Shqipëria dhe shqiptaria Ju janë dhe do t’Ju jenë përjetë mirënjohëse për erudicionin Tuaj, ndërgjegjen kombëtare e qytetare, veprën Tuaj shkencore dhe kontributin kombëtar. Ju jeni sot një ndër referencat më të rëndësishme të kombit shqiptar si edhe një ndër pikëtakimet e kulturës shqiptare me kulturën botërore.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në letrën e urimin për 85-vjetorin e Akademikut Rexhep Qosja.
Profesor Rexhep Qosja, feston sot 85 vjetorin e lindjes, ndërsa ndër vite, vlerësohet dhe nderohet për kontributin që i ka dhënë letërsisë shqipe.