Ali Shamkani dhe Esmael Qaani janë dy gjeneralët iranianë i shpëtuan sulmeve precize të ushtrisë izraelite, që gjatë 12 ditëve të luftës shkatërruan zinxhirin komandues të Republikës Islamike. I pari është këshilltar i Ajatollah Khamenei, i dyti udhëheq Divizionin Qods të Gardës Revolucionare, strukturë që menaxhon milicitë shiite jashtë vendit.
Shamkani mbeti i plagosur nga sulmet dhe më pas u shfaq në publik, i mbështetur në një bastun, gjatë funeralit shtetëror të kolegëve të tij të vrarë. Aspak i dobësuar, ai u rikthye me dy mesazhe të forta. “Do të vazhdojmë me programin bërthamor,” tha që nga shtrati i spitalit. Deklaratë që u pasua nga një tjetër më enigmatike: “Izraeli e di pse më sulmoi dhe e di edhe unë, por nuk mund ta them.” Për disa, kjo është një aludim për rolin e tij në një grup të ngushtë që merret me zhvillimin e arsenalit, veçanërisht në fushën atomike. I lindur në vitin 1955 në rajonin “arab” të Ahvazit, Shamkani ka qenë komandant i Marinës së Gardës Revolucionare, dhe më pas ka mbajtur poste të larta të sigurisë. Në vitin 2013 u emërua këshilltar për sigurinë, post që e humbi pas dhjetë vitesh — sipas disa burimeve të asaj kohe — për shkak të kontakteve të një bashkëpunëtori të tij me qarqe të huaja të dyshimta, konkretisht britanike.
“Mafiozi”
Largimi i tij ishte vetëm një pauzë, pasi më pas arriti sërish të ngjitet në hierarkinë e komandës, deri në koordinimin e kontakteve diplomatike me SHBA për çështjen bërthamore. Nga Teherani, burime për Corriere della Sera tregojnë se Shamkani është “aq i fuqishëm sa është edhe i korruptuar”. Disa e quajnë “mafiozi” për shkak të aktiviteteve të shitjes së naftës, biznes që ai e menaxhon bashkë me djalin e tij, Hossein, i cili kontrollon një rrjet kompanish që lehtësojnë eksportin e produkteve naftësore nga Irani dhe Rusia nëpërmjet vendeve që nuk i kanë vendosur sanksione Perëndimit.
Mosbesimi është tipar i thellë në një popull si ai iranian, i detyruar nga regjimi të jetojë në një klimë dyshimi dhe spiunimesh — proverb iranian: “Muri ka minj dhe minjtë kanë veshë.” Edhe për Shamkanin, shumë vënë në dyshim versionin zyrtar të shpëtimit nga sulmi izraelit, sidomos për mënyrën si e rrëfeu vetë në televizion: ndonëse pallati ku banonte ishte shembur nga bombat, “ai nuk kishte asnjë plagë, as një mavijosje.” Hipoteza? Që dikush (Mossad) e kishte paralajmëruar paraprakisht dhe e kishte nxjerrë nga zona e rrezikut, sipas një gazetari nga kryeqyteti.
Rasti Qaani
Edhe rasti i Esmael Qaanit ngjall dyshime. Ai mori drejtimin e forcave Qods pas vrasjes së Qasem Soleimanit nga SHBA në vitin 2020. I lindur në Mashhad, Qaani mori pjesë në luftën kundër Irakut dhe më pas, brenda Qods, kontribuoi në ndërtimin e “unazës së zjarrit” përreth Izraelit — një rrjet milicish me raketa dhe dronë që nga Iraku, Siria, Libani dhe territoret palestineze synonin të godisnin shtetin hebre në rast lufte. Kjo aleancë përfshin edhe Houthit jemenas, si dhe grupe radikale shiite afgane dhe pakistaneze.
Por strategjia e Teheranit u godit rëndë nga ofensivat e përsëritura izraelite që dobësuan ndjeshëm aleancën. Për më tepër, Qaani nuk ka arritur të fitojë prestigjin e paraardhësit, gjë që e theksojnë mërgimtarët dhe propaganda “armike”. Kur më 27 shtator të vitit të kaluar ushtria izraelite eliminoi udhëheqjen e Hezbollah në Bejrut me bomba anti-bunker, qarkulluan lajme për vrasjen e vetë Qaanit — “zëra” të përziera me dyshime për hetime ndaj tij nga regjimi, si për ta paraqitur si tradhtar. Por ai u shfaq më pas në funeralin e njërit prej zëvendësve të tij, Abbas Nilfoushan, i vrarë së bashku me Nasrallah nga një sulm izraelit. Dhe aty doli një tjetër teori: informacionet kundër Qaanit ishin një manovër për të diskredituar kundërshtarët, duke treguar se po shpërndanin gënjeshtra.
Kapelja
Skema u përsërit këto ditë, kur Qaani, i shpallur i vdekur, u rishfaq në Teheran — me një kapelë të zezë — në një tubim patriotik. Burime të brendshme tregojnë se që pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran dhe eliminimit të krerëve të Hezbollahut, është bërë gjithnjë më e fortë teza se Qaani, në të vërtetë, është një agjent i Mossad-it. Kështu, në rrjetet sociale dhe chat-e, teoria e konspiracionit ka frymëzuar krijuesit dixhitalë.
Një video shumë e përhapur, e ndërtuar me inteligjencë artificiale, e paraqet Qaanin si “Njeriun tonë në Teheran”, në referencë me spiunin legjendar Eli Cohen, që arriti deri në majat e ushtrisë siriane. Qarkullojnë imazhe ku busti i Qaanit vendoset përballë selisë së Mossad-it, apo ai i veshur si James Bond. Madje qarkullon edhe një deklaratë që i atribuohet atij: “Në emër të Allahut, nuk do të ndalem së luftuari për Iranin dhe për Ali Khamenein, regjimi sionist po përhap gënjeshtra për mua. Nuk jam i Mossad-it, jam makthi i tyre.”
Dhe dje, shërbimi sekret izraelit ndërhyri drejtpërdrejt në X me një postim të thatë në gjuhën farsi: “Qaani nuk është spiuni ynë.” Një ndërhyrje për të ushqyer lojën. Lufta e vërtetë ka lënë vend për atë psikologjike, dhe këtu gjithçka është e lejuar. Ironi, gënjeshtra, “fake news” dhe ndonjë grimcë e vërtetë. Presionet shërbejnë për të thelluar çdo çarje në një pushtet që kurrë s’ka qenë vërtet i bashkuar dhe që çdo ditë e më shumë përpiqet të mbulojë boshllëqet./Corriere della sera
Komente
