Komisioni për Mbikëqyrje e Llogaridhënie i Dhomën së Përfaqësuesve po zhvillon sot seancën e parë, si pjesë e një hetimi që synon nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Joe Biden.
Në një deklaratë të Kryetarit të Komisionit, ligjvënësit republikan Jim Comer, përpara fillimit të seancës, thuhej se ajo do të përqendrohej në çështje kushtetuese dhe ligjore.
Po kështu zoti Comer tha se do të paraqiten ato që ai quajti 'prova të zbuluara deri më sot dhedo të dëgjohen ekspertë ligjorë dhe financiarë lidhur me shkeljet e mundshme të familjes Biden”.
Presidenti Biden i ka hedhur poshtë akuzat e republikanëve.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se hetimet që po kryejnë republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, janë të pabaza.
“Nuk kanë prova dhe kjo është një lojë politike”, tha zonja Jean-Pierre.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy nisi këtë muaj hetimet që mund të çojnë tek ngritja e akuzave për shkarkimin e presidentit. Hetimet janë përqendruar tek marrëdhëniet e biznesit jashtë vendit të djalit të presidentit, Hunter Biden.
Republikanët pretendojnë se gjatë kohës që zoti Biden ishte nënpresident (gjatë administratës Obama), djali i tij Hunter Biden përdori emrin e familjes, për të përfituar në bizneset e tij me klientë të huaj. Republikanët thonë gjithashtu se edhe vetë presidenti ka përfituar nga bizneset e djalit të tij./VOA