Kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk është aspak i shqetësuar nëse pas kontratave të inceneratorëve rezultojnë ministra apo ish-ministra të tij, duke kërkuar ndëshkim maksimal për këdo që ka shkelur ligjin. “Për këtë është bërë Reforma”, tha kreu i qeverisë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, teksa shtoi se ai që ka punuar pas shpinës së qeverisë, do duhet të marrë dënimin e merituar. Ai tha se tashmë gjithçka është në dorën e SPAK që të nxjerrë të vërtetën deri në fund dhe të zbulojë edhe përgjegjësit.
"Unë nuk futem te ata që mendoj kështu. Besoj se janë gjëra të ndara. Një proces që është kurorëzuar me vepra që janë në shërbim të vendit, komuniteteve, shëndetit dhe mjedisit. Paralelisht me të veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale. Jemi në kushtet komode ku Prokuroria Speciale po heton. I takon atyre të evidentojnë faktet lidhur në hetim dhe prova. Nuk shoh shqetësim për të vërtetën. Përderisa kjo po hetohet e vërteta do të dalë deri në fund. Unë jam i vendimit që këto janë gjëra të rëndësishme për shëndetin dhe mjedisin. Do i verifikojë prokuroria. Është rast fatlum që gjithçka thuhet futet në filtrin e një organi të specializuar. Nuk jam i shqetësuar se do të dalin ministra, ish-ministra apo kushdo qoftë, sepse për këtë e kemi bërë reformën. Kur e kemi thënë që reforma bëhet për një drejtësi të drejt dhe nga ana tjetër përgjegjësia për rolin e cfarëdolloqoftë në jetën publike është përgjegjësi individuale e besoj. Nëse ka njerëz që kanë ngjyer dorën në një proces që është bërë për t’i shërbyer vendit dhe për një Shqipëri më të pastër, sigurisht ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar, sepse e kanë bërë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për shqiptarët e jo për veten e vet", tha Rama në intervistën për “Zërin e Amerikës”.
Vetë kreu i qeverisë është një nga dëshmitarët që është thirrur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor lidhur me kontratat e 3 koncesioneve, asaj në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Ngritja e një Komisioni Hetimor ka qenë një kërkesë e opozitës, të cilët pretendojnë se kontratat për 3 inceneratorët janë në shkelje të ligjit duke i quajtur një aferë të pastër kriminale. Ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka është arrestuar, ku SPAK e akuzon për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion duke përfituar 3.7 mln euro nga incerenatori i Elbasanit.