Kur kanë kaluar 3 ditë nga shpërthimi i fuqishëm me tritol në lokalin në pronësi të Muhamet Hoxhës në Tiranë, e vetmja pistë hetimi për policinë është ajo e ndonjë kërcënimi të mundshëm për familjen e tij. Burime zyrtare nga grupi hetimor konfirmojnë për Report Tv se të vetmet prova të mbledhura deri më tani i çojnë në dyshimin e vetëm se shkak mund të jetë bërë e kaluara e djalit të Muhamet Hoxhës, i cili aktualisht ndodhet në Angli.
Për këtë arsye, të njëjtat burime sqaruan se autoriteteve të huaja u është kërkuar informacion lidhur me aktivitetin që ai kryen në Angli apo nëse ka qenë ndonjëherë i hetuar apo proceduar për ndonjë vepër penale, për shkak se dyshimet e tyre kryesore janë se i riu është i përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, Policia e Tiranës mori në pyetje edhe vetë pronarin e lokalit, ku Muhamet Hoxha ka mohuar të ketë dijeni për autorët apo që më herët të ketë pasur ndonjë kërcënim.
Shpërthimi i lëndës plasëse në lokalin e tij u regjistrua në pjesën e jashtme të biznesit nga persona ende të paidentifikuar, rreth orës 23:55 minuta të 6 Dhjetorit. Ngjarja ndodhi në rrugën “Shyqyri Brari” duke krijuar panik tek banorët e zonës. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar, ppr vetëm dëme materiale.