Bota

Hetimet: Presidenti brazilian fajtor për vdekjet nga COVID! Nuk mori masa, dekurajoi injektimin e vaksinës

27 Tetor 2021, 17:22| Përditesimi: 27 Tetor 2021, 17:31

  • Share

Një komision brazilian që heton mënyrën se si veproi qeveria gjatë pandemisë së Covid-19 ka votuar pro akuzave kundër Presidentit Jair Bolsonaro, ndër të tjera.

7 nga 11 senatorët e komisionevembështetën rekomandimet e përfshira në një raport prej 1,288 faqesh mbi pandeminë. Dokumenti bën thirrje për akuza kundër dy kompanive dhe 78 individëve, përfshirë presidentin Bolsonaro, për bilancin e rëndë të pandemisë në vend.

Më shumë se 605,000 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në Brazil - numri i dytë më i lartë i vdekjeve në botë pas Shteteve të Bashkuara.

Raporti pretendon se qeveria e Bolsonaro lejoi që koronavirusi vdekjeprurës të përhapet në të gjithë vendin në një përpjekje të dështuar për të arritur imunitetin e tufës. Ai rekomandon akuzimin personal të presidentit për 9 krime, duke përfshirë nxitjen e krimit, sharlatanizmin dhe krimet kundër njerëzimit.

Bolsonaro ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur hetimin e komisionit dhe raportin rezultues si të motivuar politikisht.

Dokumenti përfundimtar i hetimeve 6-mujore do t'i dërgohet Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Brazilit. Megjithatë, ai konsiderohet aleat i presidentit dhe nuk pritet të ndiqet penalisht. Komisioni pritet gjithashtu të dërgojë një kopje të raportit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.

Raportuesi i Komisionit, Senatori Renan Calheiros deklaroi se dokumenti ia atribuon përgjegjësinë për pandeminë e pakontrolluar shumë njerëzve në Brazil, por Bolsonaro mban përgjegjësinë kryesore.

“Është përgjegjësia kryesisht e këtij presidenti, këtij vrasësi serial”, tha Calheiros.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?