Hetimi për inceneratorin e Tiranës, Apeli i GJKKO rikthen në qeli Pëllumb Abeshin

27 Janar, 12:28| Përditesimi: 27 Janar, 22:52

  • Share

Tirane-  Ka zgjatur vetëm 17 ditë arresti në shtëpi për ish-zyrtarin e Ministrisë së Mjedisit Pëllumb Abeshi, masë të cilën gjykata e Posaçme ia caktoi më 10 janar të ketij viti. Abeshit i duhet të rikthehet sërish në burg pasi Apeli i GJKKO-së vendosi sot (27 janar) të pranojë kërkesën e SPAK, që ankimoi masën “arrest në shtëpi” duke kërkuar ashpërsimin në arrest me burg.

Vendimi për rikthimin në qeli të ish-zyrtarit në hetim për inceneratorin e Tiranës, u mor nga gjyqtari Dhimitër Lara.

Ndërkohë 7 personat e tjerë në hetim mes të cilëve edhe ish-ministri i Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, i ishin drejtuar Apelit të Posaçëm për zbutje të masës së sigurisë.

Gjyqtari rrëzoi kërkësat e tyre. Kështu, ish ministri Koka, ish-drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, përfaqësues nga bashkia në komisionin e dhënies së koncensionit, Bledar Karoli, përgjegjës i prokurimeve në ministri, do të vijojnë të hetohen në masë “arrest me burg”.

Alba Thoma, dhe Silena Tola, Sidrita Kopliku të cilët ndodhen në arrest shtëpie, kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, duke pretenduar se nuk kanë kryer vepër penale dhe se kanë zbatuar vetëm detyrën ,por edhe këto masa u lanë në fuqi. 

68-vjeçari Pëllumb Abeshi u arrestua më 27 mars të vitit 2022 për shpërdorim detyre për inceneratorin e Fierit në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit. Për këtë proces ai u dënua me 4 vite burg, dënim të cilin e shleu më 10 janar. Megjithatë, nuk mundi të ishte njeri i lirë, pasi për hetimet e nisura për inceneratorin e Tiranës i duhej të qëndronte në “arrest shtëpie” sipas vendimit të gjyqtares Irena Gjoka më 9 dhjetor 2023 , të cilin SPAK e ankimoi. 

Emri i Abeshit ishte mes 15 personave të tjerë për të cilët SPAK firmosi urdhër-arreste më 7 dhjetor 2023 sa i takon hetimit të nisur tre vite më parë për kontratën e koncesionit "Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”

Deri tani janë ekzekutuar 12 urdhërarreste, ndërsa 3 persona, mes të cilëve Mirel Mërtiri  e Klodian Zoto, janë në kërkim ndërkombëtar, konsideruar koka e aferës, nën akuzë për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?