SPAK ka ngritur dyshime të forta se kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka ka qenë e përfshirë në veprime aktive për indimidimin e dëshmitarëve, helmimin e provave dhe pengimin e hetimit ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.
Në dosjen hetimore thuhet se Bushka ka ndërhyrë për të penguar hetimet e SPAK, duke intimiduar dëshmitarë dhe duke u marrë telefonat që të mos i dorëzonin në SPAK.
Sipas SPAK, deputetja kishte tentuar të manipulonte dëshminë e Ina Goxhajt, e cila ishte vënë fiktivisht në krye të kompanisë “BYL-A” edhe pse ajo kontrollohej nga Bushka dhe më pas nga Ajola Xoxa.
Pas thirrjes së saj nga SPAK, Goxhaj e cila u amnistua duke mos iu ngritur akuzë pasi bashkëpunoi me hetuesit, tregoi për një përpjekje të koordinuar për të ndikuar deklarimet e saj si dhe për të fshehur faktet gjatë hetimit.
Ajo deklaron se ishte takuar disa herë me Bushkën, Xoxën dhe disa avokatë, të cilët e kishin udhëzuar atë që të mohonte gjithçka si dhe të fshihte faktet.
Shqetësimi Bushkës, sipas dosjes hetimore, lidhej gjithashtu me adresën e BYL-A, që sipas deklarueses, nuk duhej të dilte që ishte shtëpia e saj.
Në një takim të dytë në një zyrë avokatore, Ajola Xoxa i kërkoi Goxhajt që t’i dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte të cilat tha Goxhaj e kanë shqetësuar.
Nëpunësja do deklaronte se Ajola Xoxa i kishte sjellë një telefon të ri të markës “Iphone 12”, ndërsa telefoni i vjetër i përdorur prej saj, dyshohet të jetë asgjësuar nga deputetja Bushka në shtëpinë e prindërve të vet.
Bushka i ka mohuar publikisht dyshimet e ngritura ndaj saj. Ajo ka pranuar takimet me Goxhajn, por duke deklaruar se ajo i ka transformuar bisedat mes tyre, në dëshminë e dhënë para prokurorëve.
Lajmi kryesor:
SPAK i komunikon akuzat Veliajt dhe Xoxës! Të pandehur edhe deputetja Klotilda Bushka (pengoi hetimet), 2 biznesmenë e 1 polic
V.GJ /ReportTv.al
