Tensionet prej dy ditësh te Komisioni hetimor për Shëndetësinë, koncesionet e Sterilizimit dhe Check Up nuk kanë sjellë vetëm përplasje verbale dhe akuza mes palëve politike, por edhe një reagim nga ana e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që nuk arriti të dëshmonte dot, pasi opozita dhe mazhoranca nuk ranë dakord për procedurën.
I arrestuar për fondet e SASPAC dhe nën proces për koncesionin e sterilizimit, Beqaj reagoi sot (14 Nëntor), për atë që ndodhi gjatë 16 orëve të ditës së djeshme në pritje dhe deri në orën 02:20 të mëngjesit.
Reagimi u bë nëpërmjet avokatit të tij. Ai thotë se u përballë për dy ditë me radhë dhe dje për 14 orë pa ndërprerje me fyerje dhe tallje teksa priste të dëshmonte.
Beqaj deklaron se u përball me fyerje dhe tallje nga më të ndryshmet prej deputetëve demokratë, duke i përmendur ata me emra. teksa shton se nuk mund të lejonte nëpërkëmbjen e dinjitetit të tij. beqaj mohon se ka kërcënuar ndonjë prej deputetëve opozitarë.
Reagimi i plotë i Ilir Beqajt nga qelia:
“Prej marsit 2024, kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor parlamentar për koncensionet në shëndetësi, nga deputetët nismëtarë jam përballur me akuza, fyerje si hajdut, kriminel etj. Kam pritur në heshtje ditën e përballjes në Komision. Ditën e martë jam paraqitur në orën 10 dhe deri në oren 19.30 jam penguar të jap dëshminë. është penguar të flasë edhe avokati im.
Ditën e mërkurë jam paraqitur në oren 10.30 sipas njoftimit dhe kam pritur deri në orën 01.40 të ditës së enjte. Edhe në mbledhjet e ketyre dy ditëve që janë publike, me zë dhe figurë, jam përballur me akuzat, talljet e fyerjet nga Vokshi, Zhupa, Koreshi dhe Hoti.
Në atë orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit, kam dëgjuar deputeten Zhupa që sikur unë të isha send kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli, pasi sipas saj kjo ishte leja e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.
Sipas Kodit të Procedurës Penale edhe për një të paraburgosur në rast marrjeje në pyetje apo procesi gjyqesor, qëndrimi nuk varet nga orari i lejes, por kohëzgjatja e seancës përkatëse. Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcenuar apo fyer askënd.
I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj. Në 8 muaj hetime të komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë provuar që dy koncensionet objekt hetimi janë histori suksesi. Dështimin politik deputetët e opozitës nuk i lejoj ta përcjellin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim".
Lajmi kryesor:
Sherr në orën 1 pas mesnate tek Hetimori i Shëndetësisë/ Beqaj futet në sallë, përplaset me deputetët PD! Zhupa: Po kërcënon! Vokshi: Urgjent kthejeni në burg! Ish ministri - Spahos: Ti mbylle gojën
A.Q//ReportTv.al