Operacioni Forca e Ligjit i cili prej afro një viti goditi pasuritë e mbi 500 subjekteve me rekorde kriminale është shqyrtuar sot në Gjykatën Kushtetuese.
Disa javë më parë një nga 255 subjektet që kanë deklaruar pasurinë e tyre në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Edlir Hysenaj të cilit iu dërgua formulari i OFL-së në datë 5 Shkurt të 2020, kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me kushtetutën të vendimit të dhënë ndaj tij, si subjekt i deklarimit të pasurisë.
Ky i fundit rezulton i dënuar për drogë dhe sipas Policisë dyshohet se ka pastruar paratë e kushëririt të tij Emiljano Hysenaj, i cili në Gjermani është arrestuar për pjesëmarrje në një grup kriminal që merrej me trafikun e kokainës. Ata u kapën me 1.8 ton kokainë të fshehur në banane.
Ndër argumentet e tyre për rrëzimin e OFL-s dhe shpalljen e saj antikushtetuese janë mungesa e emergjencës për të nxjerrë Aktin Normativ si dhe zgjatjen e afatit edhe pas mbarimit të mandatit të saj më 31 dhjetor 2020.
Pas shqyrtimit sot në seancë plenare Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim.
OFL e mbylli misionin e saj më 31 dhjetor 2020 dhe nuk dërgon më formularë tek subjektet ndërsa ato procese të hapura në SPAK dhe GJKKO vazhdojnë edhe përtej këtij afati.