Hetuesit federalë po përpiqen të kenë një pamje më të plotë të rrethanave se si dera e një avioni të linjës Alaska Airlines u shkëput dhe ra gjatë fluturimit. Hetuesit thanë se nuk kanë gjetur dot katër vidat që duhej ta kishin mbajtur derën të fiksuar.
“Janë dy vida lart. Nuk dimë nëse këto vida ishin aty dhe ranë me shkëputjen e derës, apo nëse mungonin... Mungonin vidat edhe tek menteshat në fund të derës. Edhe për to nuk e dimë nëse gjendeshin aty...”, tha Jennifer Homendy, drejtuese e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transporteve.
“Sipas projektimit, nëse vidat janë aty të shtrënguara, ato e pengojnë derën të ngrihet lart dhe të shkëputet nga struktura... apo të fluturojë në ajër. Sidoqoftë, vidat mund të këputen dhe janë disa gjëra të tjera që duhet të ekzaminojmë”, tha eksperti Clint Crookshanks.
Komentet e bëra të hënën nga ekspertët federalë erdhën pasi dy kompani ajrore, Alaska Airlines dhe United Airlines, njoftuan nga ana e tyre se kishin gjetur pjesë të liruara në panelet e avionëve të tyre Boeing 737 Max 9.
“Që kur filluam inspektimet paraprake të shtunën, kemi gjetur raste me probleme instalimi të dyerve – si për shembull, vida që duhej të ishin shtrënguar më shumë”, njoftoi kompania ajrore United Airlines.
Kompania Alaska Airlines tha se kishte filluar kontrollin teknik të avionëve të saj të tjerë Max 9 dhe se nga “gjetjet fillestare duket se janë gjetur pjesë të liruara në disa avionë”.
Këto gjetje kanë shtuar shqetësimet për procesin e prodhimit të këtyre avionëve. Kompania Boeing gjendet tashmë nën trysni të shtuar për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të krijuara dhe ka thirrur të martën të gjithë punonjësit e saj në një takim të përbashkët.
Agjencitë rregullatore amerikane urdhëruan pezullimin e menjëhershëm të 171 avionëve të këtij tipi, pas shkëputjes së derës së avionit të kompanisë Alaska Airlines, ndërsa fluturonte në një lartësi prej 4800 metrash mbi Oregonin. Pilotët arritën ta ulin avionin në tokë dhe asnjë prej 171 pasagjerëve dhe gjashtë anëtarëve të ekuipazhit nuk pësoi lëndime serioze./ VOA