TIRANË- Ndonëse që prej kësaj të hëne në të gjithë vendin ka nisur vaksinimi i popullatës edhe për personat 16 vjeç e lart, dhe për ata mbi 12 vjeç me probleme të sistemit imunutar, në qendrat shëndetësore shumë pak adoleshentë janë paraqitur për të marrë dozën e parë.
Mjekja pediatre Sonila Brati tregon se në tre ditë është vënë re një hezitim i theksuar i prindërve për të vaskinuar fëmijët.
"Kanë një farë stepje dhe hezitimi prindërit për shkak të frikës, në fakt kjo është gjëja që ka shoqëruar më së tepërmi mund të them njerëzit në gjithë këtë periudhë të gjatë vaksinimi dhe janë dhe efektet e largëta anësore ato që më tepër i stepin", tregon ajo.
Në Qendrat Shëndetësore kanë përpiluar listat e fëmijëve që përfitojnë nga vaksinimi.
"Kemi filluar dje dhe sot për të bërë njoftimet, mund të them qe kemi diku tek një shifër afërsisht 50-60 banorë për mjek në këtë moshë, nga mosha 16-18 vjeç. Sigurisht që ajo do bëhet me miratimin e prindit pra për vaksinën fillimisht do të njoftohet prindi dhe do të plotësohet një formular ashtu siç funksionon edhe për të rriturit, pra një pyetësor vaksinimi", shprehet Brati.
Pediatrja e Qendrës Shëndetësore nr.2, Sonila Brati u rekomandon prindërve që t’i dërgojnë për vaksinim ndaj COVID, të gjithë fëmijët mbi 12 vjeç me sëmundje kronike.
"Unë personalisht do ta rekomandojë për ata që janë me probleme, ata fëmijë që kanë probleme kryesish pulmonare, ata që janë më probleme diabeti, ata që kanë problematika të kësaj natyre. Unë personalisht do ta rekomandojë aq më tepër pastaj duke parë që fluksi është shtuar tek këto mosha mbi 14 vjeç edhe janë aktiv, janë transmetues për COVID, mbase mund të mos kenë vet simptoma por ja u çojnë prindërve, ua u çojnë gjyshërve"përfundoi mjekja.
Për fëmijët do të përdoret vetëm vaksina Pfizer dhe do t’u injektohen dy doza.