Në bashkinë e Durrësit, 198 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 përfituan sot apartamente të reja. Përzgjedhja u krye përmes një shorteu publik, të organizuar në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Familjet përfituese do të vendosen në apartamente 3+1, të ndërtuara në zonën e re të Spitallës, ku tashmë kanë përfunduar ndërtimi i 996 njësive të banimit.
Ky është shorteu i tretë i rëndësishëm për ndarjen e apartamenteve, pas atyre të realizuara në muajt gusht dhe shtator nga bashkia e Durrësit. Edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga shortetë e mëparshme ende 500 familje nuk kanë hyrë në banesat e reja, pasi nuk është kryer kolaudimi i kompleksit.
Gentian Kallmi, Nënkryetari i Bashkisë Durrës tha se “Në Spitallë është duke përfunduar procesi i kolaudimit. Sapo punimet të jenë dorëzuar bashkë me çelësat, bashkia do të procedojë me shpërndarjen. Bashkia ka rolin e përfituesit, jo të zhvilluesit, dhe procesi varet nga firma që po kryen punimet.”
Ky shorte i sotëm nuk do të jetë i fundit për familjet e pastreha në Durrës.
“Sot janë trajtuar të gjithë përfituesit e miratuar nga Këshilli Bashkiak, por procesi i rindërtimit vazhdon. Ka ende raste në shqyrtim dhe, nëse do të ketë përfitues të rinj, do të organizohet një tjetër shorte”, tha ai më tej.
Lagjja e re në Spitallë u ndërtua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim të Princit të Kurorës së Emirateve Arabe dhe Qeverisë Shqiptare. Me përfundimin e kolaudimit në këtë lagje me 996 apartamente do banojnë rreth 4000 mijë qytetarë që humbën shtëpite e tyre nga termeti shkatërrimtar.