Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm paraditen e kësaj të hëne në Njësinë Administrative 14 në Tiranë, ku do të hidhen themelet për ndërtimin e një shkolle të re. Kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani tha se shkolla e planifikuar do të ketë një kapacitet për 900 nxënës dhe pranë do të ndërtohen edhe kopsht dhe çerdhe.
“Kjo është arritje historike për lagjen 14 që është krijuar se përpara 10 vitesh. Shqetësimi ka qenë që ish komunat nuk kishin planifikuar objekte arsimore. Më në fund, ne kemi mundësi që të hapim themelet për shkollën e parë të lagjes 14 të zonës së Astirit. Gjithë kjo lagje është e re, pjesë e planifikimit të komunës, e cila s’ka bërë objekte të shërbimeve publike, as qendra shëndetësore, as kopshte as çerdhe. Shkolla do të jetë sipas modeleve për shkolla të reja, planifikohet për 900 nxënës dhe nga ana tjetër do të jetë edhe kopshti dhe çerdhja për më shumë se 250 fëmijë. Kemi edhe dy shkolla të tjera në Yzberisht e mesme dhe 9 vjeçare.”, u shpreh Ristani.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se duhet punuar me një plan të ri për vendosjen e ovbjekteve arsimore në Tiranë.
“Siguroj se do të shohim edhe për pika të tjera kudo në Tiranë ku për shkak të prurjeve të reja dhe ndërtimeve të reja ka nevojë për kopshte dhe çerdhe dhe duhet të ecim me atë që kemi folur, me një plan të ri për vendosjen e objekteve arsimore për Tiranën që të shoqërohet edhe me partneritete. Për çerdhet duhet të vazhdojmë atë që keni përdorur ju për të marrë hapësira për çerdhe.”, tha ai.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se fëmijët do t’i ndihmojë shumë fakti që edhe ciklin parashkollor edhe shkollën 9 - vjeçare mund t’i kryejnë në të njëjtin vend.
“Do të jenë 900 nxënës kryesisht gjithë ciklin e arsimit 9-vjeçar dhe do kemi dhe dy klasa parashkollore dhe kjo është e rëndësishme sepse të gjithë ata nxënës apo fëmijë të vegjël, që duhet të shkojnë në kopsht, në pamundësi, mund të kapin ciklin parashkollor dhe më pas të integrohen direkt këtu. Do kemi dhe klasë burimore për nxënësit me aftësi ndryshe. Tashmë jemi duke e përfshirë në të gjitha shkollat si një standard të vendosur, duke qenë se kemi dhe mësuesit ndihmës, ndërkohë sa i përket stafit mësimor, tashmë dhe me reduktimin e shkollave me dy turne që bashkia e Tiranës ka bërë një punë shumë të mirë dhe i kemi reduktuar me 57% shkollat me 2 turne, kanë mbetur dhe 25 shkolla, të cilat me rritjen e kapaciteteve, shkolla të reja, 5 janë në ndërtim ku kemi dhe zgjerim kapacitetesh, besoj që do ta eliminojmë në 4 vjeçarin e ardhshëm.” –u shpreh ajo.
Shkolla e re që do të ndërtohet në këtë zonë të Astirit do të funksionojë bashkë me kopshtin dhe çerdhen me një kapacitet prej 900 nxënësish dhe 250 fëmijë të ciklit parashkollor. Është një investim i qeverisë shqiptare tepër i domosdoshëm për komunitetin e Astirit, që deri më dje kur zona funksiononte si komunë nuk kishte të planifikuar asnjë institucion arsimor.
Komente
