Një ngjarje kriminale është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Larushk të Bashkisë Krujë.
Rreth orës 22:00 është hedhur në erë me eksploziv makina e administratorit të Njësisë Administrative Fushë Krujë, Ilir Loci.
Burime për Report Tv bëjnë me dije makina tip “Range Rover” me targa KR8778A ndodhej e parkuar në parkingun e një restoranti, në pronësi të shtetasit A. M., kur një sasi eksplozivi ka shpërthyer në pjesën e përparme të saj.
Konkretisht eksplozivi është hedhur në gomën e parë të automjetit tip "Range Rover", nga ana e pasagjerit.
Lënda plasëse dyshohet të jetë hedhur nga një rrugicë krah restorantit.
Videot nga vendi i ngjarjes tregojnë se aty ndodhet dhe vetë administratori Ilir Loci, i cili duket i shqetësuar.
Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe është dëgjuar në të gjithë zonën përreth.
Si pasojë e shpërthimit janë shënuar vetëm dëme materiale. Bashkë me makinën e Ilir Locit është dëmtuar edhe një fuoristradë pranë saj.
"Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 2 automjete të parkuara, në pronësi të shtetasve E. K. dhe I. L.",- lajmëron policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Komente
