Pjesë nga projektligji

Ndryshon projektligji për amnistinë fiskale! Deklarim vullnetar deri në 2 mln euro, tatimi deri 10%, legalizohen edhe pasuritë! Ja kategoritë që përjashtohen

23 Qershor 2022, 21:24| Përditesimi: 23 Qershor 2022, 22:42

  • Share

TIRANË- Çdo qytetar shqiptar, rezidentë në Shqipëri, por edhe emigrantët do të mund të përfitojnë nga amnistia fiskale deri në shumën 2 milionë euro. Projektligji për amnistinë fiskale dhe penale për deklarimin vullnetar të pasurisë është hedhur për konsultim publik, për të marrë mendimin e individëve dhe grupin e interesit. Qëllimi është për të kuptuar nëse publiku është dakord që një person të deklarojë deri në 2 milionë euro pasuri, që deri më tani e ka pasur të padeklaruar dhe t’i njihet kjo si një pasuri e ligjshme pavarësisht burimit të këtyre të ardhurave. 

Në draftin të cilin Report Tv disponon, sqarohet se subjektet e deklarimit nuk do të japin informacion mbi burimin e të ardhurave, nuk do të ndiqen penalisht dhe as nuk do të ketë një hetim tatimor.  Për deklarimin e pasurive do të aplikohen 2 fasha tatimi. Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim  7% dhe 10% për të dytët. Aktualisht kush deklaron pasurinë paguan 15% tatim mbi vlerën.

Megjithatë duhet theksuar që këto para të deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë të paktën 5 vjeçare nga momenti i depozitimit. Në rast të kundërtën, do u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

Projekti i amnistisë fiskale, parashikon edhe legalizimin e bilanceve reale, që shumë kompani i kanë mbajtur të fshehura në vite, duke deklaruar në Tatime bilance të trukuara. Duke punuar me bilance të dyfishta, shumë subjekte kanë kryer evazion fiskal, me anë të fryrjes së shpenzimeve dhe fshehjes të të ardhurave, por tashmë qeveria do ta amnistojë këtë veprim. Pra, shteti do të njohë edhe kapitalet e krijuara nga ky lloj evazioni, por njëkohësisht do luftojë informalitetin.

Subjekte të këtij ligji janë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë residentë tatimorë ose jo në Shqipëri, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre. Për zbatimin e këtij ligji, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të ngrihet një strukturë e posaçme, e quajtur Njësia për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive (Njësia), në varësi të drejtpërdrejtë të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

Nga kjo amnisti, nuk do të përfitojnë funksionarët e lartë të shtetit, që nga presidenti, kryeministri, ministrat deputetët e deri tek nëpunësit civil, prefektët, drejtor, prokuror, gjyqtar apo edhe drejtues të policisë dhe personat me të shkuar kriminale.

Ja kush nuk përfiton nga amnistia

  1. Subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të certifikates familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, si më poshtë vijon:
  2. a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;
  3. b) Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, inspektori i Përgjithshëm i inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të interesit;
  4. c) Zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të organeve të vetëqeverisjes vendore;
  5. ç) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive;
  6. d) Drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin informativ të Shtetit;
  7. dh) Prokurorët, gjyqtarët, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe drejtuesit e zyrave përmbarimore, brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të shkallës së parë;
  8. e) Drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore;
  9. ë) Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi, hetuesit dhe oficerët e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme;
  10. f) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive, në qendër dhe qarqe, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;
  11. g) Drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e të kompensimit të pronave, të privatizimit dhe të regjistrimit të pasurisë;
  12. gj) Zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;
  13. h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës të saj;
  14. i) Drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku;
  15. j) Administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë;
  16. k) Anëtari i institucionit të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë), Sekretari i Përgjithshëm, këshilltarët ekonomikë dhe ligjorë, si dhe personat e lidhur me ta, sipas ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”.
  17. Subjektet, të cilat kanë qenë mbajtëse të detyrave apo të funksioneve sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij neni, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën 01.01.2022.
  18. Subjektet e ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.
  19. Personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të ligjit 157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.
  20. Subjektet për të cilët ka filluar procedura penale për evasion në fushën tatimore dhe doganore.
  21. Subjektet të cilët janë verifikuar në përputhje me parashikimet e aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, miratuar me ligjin nr.18/2020.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bledi: 23/06/2022 22:33

    Sa i pandershem eshte ky ligj. Mbush arken shteti me pandershmerine e shqiptareve. Sa turp!

    Përgjigju
  • Besi: 23/06/2022 22:04

    Po si I behet kur personat me te shkuar kriminale, qe kane vrare kane vjedhur kadastren e Lames i hedhin leket ne emer te prinderve e familjareve kush do i kontrolloj? Apo do perfitojne perqindje dhe keta qe kontrollojne. Per mua eshte e nxituar derisa nuke kemi prokurori dhe gjykata, do jete nje degjenerim per popullin e thjesht qe eshte grabitur per 30 vjet.

    Përgjigju
    • Shkembi: 23/06/2022 23:03

      Te ndershmit paguajne 33% -47%, hajdutet 10%. Kishte te drejte Fishta per Shqiperine. Rrofshin hadutet dhe kriminelet.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?