Sezoni i ri i Superligës ka marrë formë këtë të premte pasi është hedhur shorti që ka përcaktuar edhe ndeshjet nga java e parë deri në të 36-ën.
Është zbuluar kalendari i sezonit të ri të Superligës që nis me 20 gusht, me shortin që në javën e parë, kampionët në fuqi Tiranën, i vendosi përballë Kukësit. Derbi i kryeqytetit mes bardhebluve dhe Partizanit do luhet javën e gjashtë, ndërsa sezonin e ri të kuqtë e nisin kundër Egnatias në Tiranë.
Elton Marini, drejtor sportiv i Partizanit: “Partizani në ADN dhe objektiv të vetin ka padyshim fitimin e titullit. Nuk jam unë i pari që e them sepse nuk jam drejtori i parë në këtë klub.”
Po në javën e parë Erzeni debutues që ndeshjet do ti zhvillojë në ‘Niko Dovana’ ku pret Vllazninë. Bylisi përballet me Kastriotin dhe Laçi sfidon Teutën, por kurbinasit këtë të premte mendjen më shumë e kishin në Conference League, aty ku në turin e dytë do përballen me moldavët e Petrocub.
Naim Halili, drejtor i Laçit: “Iskra ishte ekip më i lehtë po ta shohim nga cilësia, ndërsa Petrocub ka më shumë kualitet se malazezët. Mesfusha e tyre ishte e fortë por në futboll çfarë nuk ndodh. Nga ajo që pashë unë ishte ekip i kalueshëm.”
Sa i përket të drejtës televizive Superliga është në ankand dhe sot ishte dita e fundit e ofertave për 3 vitet e ardhshme.