Shtetet e G-20-s përbëjnë 85 për qind të prodhimit ekonomik dhe 75 për qind të tregtisë botërore. Ato kanë dy të tretat e popullsisë së botës. India vazhdimisht ka thënë se grupi ka përgjegjësi ndaj shteteve që nuk përfaqësohen në G-20 dhe duke e bërë këtë, ka vendosur veten si zë i Jugut Global.
India e ka shndërruar samitin e G-20-s në spektaklin diplomatik që kurrë nuk është përjetuar më parë.
Pas 200 takimeve të mbajtura në 60 qytete indiane gjatë tërë vitit, fushata e ka kthyer presidencën e G-20-s në triumf global që do të kulmojë me samitin e liderëve që mbahet gjatë fundjavës.
Delhi është stolisur me tabela dhe posterë të mëdhenj - që shfaqin imazhin e kryeministrit Narendra Modi së bashku me mesazhin që mirëpret delegatët dhe që konfirmon gatishmërinë e Indisë për t’u bërë pjesë e botës.
Dhe krejt kjo përpjekje në fund do të mbyllet me samitin e liderëve dhe aftësinë e tyre për të dalë me deklaratë të përbashkët që sinjalizon marrëveshjen e gjerë për çështjet me të cilat preokupohet bota.
India ka shtyrë fort që të ketë deklaratë – nëse ky samit përfundon pa ndonjë të tillë – do të jetë e para herë. Mirëpo nuk do të jetë e lehtë për shkak se njëzetë shtetet janë të ndara në shumë halle. Halli më i madh është lufta në Ukrainë.
Lufta ishte kryetemë e samitit të vitit të kaluar që u mbajt në Indonezi, mirëpo grupi ishte në gjendje të dilte me një deklaratë të ngutshme që shpërfaqte dallimet brenda G-20 në lidhje me Ukrainën.
Mirëpo që prej vitit të kaluar, pozicionet janë vështirësuar – Rusia dhe Kina mund të mos pajtohen për koncesione dhe Perëndimi, i prirë nga SHBA-ja, nuk ka pranuar asgjë më shumë se kundërshtimi i qartë i luftës në Ukrainë.
Mungesa e Putinit
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping nuk do të marrin pjesë dhe kjo vendimmarrjen do ta bëjë pak më të vështirë. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe kryeministri kinez Li Qiang do t’i përfaqësojnë shtetet e tyre, mirëpo ata mund të mos kenë peshën politike për të bërë lëshime të minutave të fundit pa u konsultuar me shefat e tyre.
Edhe takimet e ministrave të jashtëm dhe të financave të G-20 përfunduan pa deklaratë të përbashkët në fillimvit.
Mirëpo India do të vazhdojë të shpresojë se çështja e Ukrainës nuk do të pengojë në shfaqjen e shqetësimeve të Jugut Global – vendeve në zhvillim – për të cilat ajo dëshiron të diskutojë.
Shtetet e G-20 përbëjnë 85 për qind të prodhimit ekonomik dhe 75 për qind të tregtisë botërore. Ato kanë dy të tretat e popullsisë së botës. India vazhdimisht ka thënë se grupi ka përgjegjësi ndaj shteteve që nuk përfaqësohen në G-20, dhe duke e bërë këtë, ka vendosur veten si zë i Jugut Global.
Prezenca e Unionit Afrikan në G-20 ka fuqizuar pozicionin e Indisë për nevojat e botës në zhvillim.
“Çështjet si borxhi, ngritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit janë përkeqësuar nga lufta dhe pandemia. India dhe vendet e tjera në zhvillim në G-20 do të dëshironin që ekonomitë e industrializuara të kontribuojnë me kapital për të zgjidhur këto çështje”, thotë Tanvi Madan, bashkëpunëtor i Institutit “Brookings”.
Mirëpo as marrëveshja në këto çështje nuk është e sigurt. Për shembull është rasti i rifinancimit të borxhit – India dhe shtetet tjera të zhvilluara kanë bërë thirrje që shtetet e pasura dhe institucionet si Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të bëjnë lehtësime për shtetet që me vështirësi kanë ripaguar kreditë e tyre.
Shumë borxhe
Mirëpo asnjë negociatë në lidhje me këtë nuk mund të bëhet pa folur edhe me Kinën. David Malpass, president i Bankës Botërore, kishte thënë në dhjetor se shtetet e varfra kanë borxh 62 miliardë dollarë ndaj kreditorëve dhe se dy e treta e këtyre kreditorëve janë nga Kina.
Kjo ka vënë shumë shtete pranë falimentimit, duke thelluar varfërinë dhe duke ngritur çmimet e ushqimit dhe energjisë.
Praktikat e kredive të Kinës shpesh janë cilësuar nga zyrtarët perëndimor si praktika grabitqare – pretendim që Pekini e ka kundërshtuar.
Madan thotë se shtetet e zhvilluara kanë nevojë që kreditorët t’u ndihmojnë me ristrukturimin e afatit të tyre të kredive dhe në disa raste t’u ndihmojnë me më shumë financim.
“Nuk e dimë se çfarë do të dalë nga ky takim, mirëpo ideja ka qenë që të arrihet njëfarë kompromisi”, shton ajo.
Shtetet e G-20 janë pajtuar për Kornizën e Përbashkët të ristrukturimit të borxheve të shteteve të varfra në vitin 2020, por progresi ka qenë i ngadaltë. Perëndimi ka fajësuar Kinën për këtë zvarritje, por kinezët mohojnë këto akuza.
Mirëpo India, e cila ka tensione të vazhdueshme kufitare me Kinën, dëshiron që shtetet e pasura të angazhohen më shumë – India ka mbrojtur shtrirjen Kornizës së Përbashkët në më shumë shtete të Jugut Global (përfshirë shtetet me të ardhura mesatare), lëvizje që e ka përkrahur edhe BE-ja në të kaluarën.
Nëse Perëndimi insiston në fajësimin e Kinës për krizën e borxheve, kjo mund të bëhet pengesë.
India gjithashtu dëshiron rregulla globale për kriptovalutat dhe rokada në institucionet si Banka Botërore dhe FMN-ja - këto çështje ka shumë pak mundësi që të diskutohen në samit.
Ndryshimet klimatike janë një tjetër çështje që Delhi e ka ngritur si shqetësim, duke thënë se disa nga shtetet më të varfra janë më të rrezikuarat për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit.
Modi të enjten ka shkruar një shkrim se “ambiciet për veprimin klimatik duhet të përputhen me veprimet për financimin e klimës dhe transferimin e teknologjisë”.
Fjalët e tij pasqyrojnë ndasitë brenda grupit mbi financimin e ndryshimeve klimatike. Shtetet në zhvillim nuk duan të nënshkruajnë objektiva ambicioze për të ulur gazet serrë, nga frika se kjo do të ndalonte rritjen e tyre. Në vend të kësaj, ato fajësojnë vendet e industrializuara për krizën dhe kërkojnë që ato të marrin një pjesë më të madhe të barrës dhe të angazhojnë para, teknologji dhe infrastrukturë për t'i ndihmuar të reduktojnë emetimet.
Happymon Jacob, profesor i politikës së jashtme në Universitetin Jawaharlal Nehru të Delhit, thotë se nuk pret përparim vendimtar në ndryshimet klimatike.
“Por është e qartë se do të jetë një nga pikat kryesore të agjendës së G20-ës dhe Delhi do t'i shtyjë vendet e pasura të angazhojnë më shumë burime për kauzën”, shton ai.
Çështjet e ushqimit dhe të energjisë
Siguria e ushqimit dhe energjisë gjithashtu do të diskutohen dhe pritet që të arrihet konsensus për këtë - megjithëse kjo do të varet nga pranimi i Moskës për të rifilluar marrëveshjen me Kievin, e cila lejoi grurin ukrainas të arrinte në tregjet ndërkombëtare. Analistët thonë se çdo përparim mbi këtë marrëveshje brenda kornizës së G20 është shumë i pamundur.
Marrëveshjet për bujqësinë, gatishmërinë ndaj pandemisë, kujdesin shëndetësor dhe zinxhirin global të furnizimit ka të ngjarë të ndodhin, por nuk është e qartë nëse ato do të jenë pjesë e deklaratës së përbashkët.
Ndërkohë, një temë që nuk ka gjasa të ngrihet është historia e përkeqësuar e të drejtave të njeriut në Indi nën qeverinë e Modit, të cilën kritikët dhe liderët e opozitës shpesh e kanë vënë në dyshim.
Analistët thonë se pavarësisht presionit nga aktivistët dhe grupet e të drejtave, liderët perëndimorë mund të mos e ngrenë këtë çështje në bisedimet në Indi – e cila shihet si aleate e domosdoshme në përpjekjet për të frenuar ngritjen e Kinës.
Disa analistë, si Michael Kugelman nga Qendra Wilson, thonë se mungesa e deklaratës do të ishte pengesë për Indinë dhe Modin, si dhe për G20-ën.
Por ai shton se India ka histori të bashkëpunimit me vendet që nuk shkojnë mirë me njëra-tjetrën, duke treguar se si i ka “menaxhuar me sukses marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe SHBA-në”.
“Pra, Delhi mund të jetë vendi që është në gjendje të përballojë dallimet e tyre. Ai dëshiron të përdorë reputacionin e tij të balancuesit, por do të jetë shumë e vështirë”.
Madan thotë se mungesa e deklaratës së përbashkët nuk do të jetë domosdoshmërisht dështim pasi Delhi do të jetë në gjendje të nxjerrë përmbledhje të kryetarit (të cilën vendet pritëse mund ta bëjnë) e cila mund të tregojë konsensus për 90 për qind të çështjeve.
G-20 i përçarë
Por, një G20 i përçarë do të bënte gjithashtu shumë njerëz të vënë në dyshim rëndësinë e forumit në botën që po ndryshon me shpejtësi.
Kina ka promovuar platforma të tjera si Brics (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Brics futën në grup edhe Argjentinën, Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - të gjitha kanë marrëdhënie të mira me Kinën.
India është një nga vendet e pakta që është pjesë e Brics dhe SCO, si dhe e forumeve të dominuara nga Perëndimi si Quad, G7 (si anëtare e ftuar) dhe G20.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme që Delhi të ketë samit të suksesshëm me rezultate, të cilat do të forcojnë statusin e tij si fuqi e rëndësishme globale dhe imazhin e Modit si lider botëror konsekuent.
Ai do të tregojë aftësinë e Delhit jo vetëm për të kuptuar, por edhe për të balancuar kërkesat konkurruese të forumeve të ndryshme shumëpalëshe. Dhe gjithashtu do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të imazhit të kryeministrit indian në vend, ku zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen vitin e ardhshëm.
Me Modin duke e çuar politikën e jashtme në qytete më të vogla indiane përmes ngjarjeve të G20-s, rreziqet janë të larta për të si në vend ashtu edhe në rendin politik global./Koha.net