'Hija' e Lul Berishës fshihet pas policisë private, Ardi Veliu i heq licensën 'One Security'

24 Nëntor 2019, 11:25| Përditesimi: 24 Nëntor 2019, 14:21

  • Share

TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka vendosur t'i heqë licencën policisë private “One Security” që operon në qytetin e Durrësit. Vendimi nga Veliu është marrë 25 ditë, pasi gazeta “Shqiptarja.com” botoi një shkrim lidhur me aksionerët e dyshimtë të kësaj kompanie, ku duket se hija e Lulzim Berishës, qëndron prapa kësaj policie private. “Shqiptarja.com” mëson se kryepolici Veliu ka vendosur t'i heqë licencën kësaj policie private në datën 25 shtator 2019, me arsyetimin se Aurela Zela, pronarja në letra e kësaj policie private ka humbur kriterin e besueshmërisë. Nisur nga kjo situatë prej muajit Tetor 2019, mes policisë priva “One Security” dhe Policisë së Shtetit, ka nisur një përballje ligjore në gjykatën Administrative të qytetit të Durrësit.

Fillimisht Aurela Zela, ka kërkuar në gjykatë pezullimin e vendimit të datës 25 shtator 2019 të marrë nga kryepolici Ardi Veliu, pasi sipas saj kompania ka lidhur kontrata shërbimi me persona të tretë në kuadrin e sigurisë. Nëpërmjet avokatëve Zela pretendon se vendimi për anulimin e licencës i ka sjellë dëm të madh ekonomik, pasi po i prish investimet e bëra tek kjo kompani. Pavarësisht këtyre pretendimeve gjyqtarja e çështjes Rezarta Aliu, ka vendosur të refuzojë kërkesën e Aurela Zela, për pezullimin e vendimit të heqjes së licencës për policinë private “One Security”. Momentalisht të dyja palët janë përfshirë në gjykim themeli, ku Zela kërkon anulimin e vendimit të datës 25 shtator 2019, që i heq licencën policisë private “One Security”. Kjo polici private, ka dyshime se drejtohet në hije nga Lulzim Berisha. Policia private, ka qendrën në Durrës dhe është themeluar më 15 prill 2019. Fillimisht, themeluesit e kësaj kompanie rezultojnë të jenë Luljeta Berisha, motra e Lulzim Berishës dhe Armand Zela, një biznesmen nga Kavaja.

Por vetëm një muaj pas themelimit të policisë private “One Security”, me një kapital prej 350 mijë lekësh të vjetra, Luljeta Berisha dhe Armand Zela, vendosin të braktisin kompaninë që themeluan vetë, duke e shitur më 20 maj 2019 tek Aurela Zela, kundrejt një çmimi prej 35 mijë eurosh. Por, edhe pse kontrata është firmosur dhe vulosur nga palët, çuditërisht në kontratë thuhet se pagesa përkatëse prej 35 mijë eurosh për dy aksionerët shitës, nuk është derdhur në llogarinë bankare të shoqërisë. Gjithashtu, një fakt i çuditshëm dhe që ngre pikëpyetje dyshimi, është se kontrata e shitjes së policisë private “One Security” tek Aurela Zela, nuk është përpiluar tek noteri, por kjo kontratë shitjeje është kryer privatisht.

Kontrata e shitjes

Por mesa duket, ndryshimet ligjore për regjistrimin e bizneseve dhe siguria e ulët juridike në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit, ka shërbyer që edhe pse kontrata nuk është përpiluar para noterit, ajo të merret e mirëqenë, duke bërë ndryshimin e pronarit të policisë private “One-Security”. Aurela Zela, vajza 32-vjeçare është e afërt e Armand Zelës dhe nuk ka eksperiencë në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të policive private. Sipas dokumenteve zyrtare, objekti i kësaj policie private është “…shërbim, të ruajtjes dhe sigurisë fizike të objekteve shtetërore dhe private. Mbrojtja dhe siguria fizike e shtetasve vendas ose të huaj, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Shoqërimi i vlerave monetare. Tregtim dhe instalim te sistemeve të sigurisë…”. Ndërkohë drejtuesi teknik i kësaj policie private është emëruar në muajin Prill 2019 Flamur Muka, ky i fundit ish-shefi i komisariatit të Shijakut, i shkarkuar në tetor 2013 nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • xxx: 25/11/2019 13:27

    Polici private koti me njerez te pa pregatitur pa shkollen e duhur merr pronari ne pune cilin ti interesoj atij

    Përgjigju
  • E pse?: 24/11/2019 19:30

    Po me c'te drejte..,atehere duhen heqyr te gjitha licencat e PPrivate ne Republike?!

    Përgjigju
  • Sefer Hajdini: 24/11/2019 17:44

    Ore zotnij,une nuk e njof Lul Berishen, po ky njeri u denu, boni burgun dhe tashi ka te drejte si gjithe bota te punoje e te jetoje.

    Përgjigju
  • Maqedonsja!: 24/11/2019 11:53

    Kjo policia private ka firmosur kontrate re rregullt me rektoratin dhe tashme ka marre ne ruajtje UAMD-ne (Universiteton ne Durres). Me heqjen e linshences se kesaj kompanie, si i behet halli per sigurine e universitetit, studenteve dhe trupes pedagogjike?!?!?!?! Po rektorati a mban pergjegjesi te pakten morale per kete allishverish me " boznesmenin" Berisha?!?!?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?