Prej afro 4 muajsh hapësira e varrezave publike në Durrës është ezauruar, kësisoj varret e reja po hapen jashtë murit rrethues, në një tokë me pronarë privat. Ky shqetësim është ngritur në Report Tv prej një jave, por këtë të martë ka mbërritur përgjigja zyrtare nga Bashkia e Durrësit, e cila thotë se nuk do të paguajë dëmshpërblimet, ndërsa ka nisur procedurat për privatizimin e një sipërfaqeje prej 44.190 m2.
Në përgjigje të interesimit të Report Tv, Bashkia e Durrësit përmes një email-i shpjegon se kjo sipërfaqe po përdoret aktualisht nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale për të kryer shërbimet funerale edhe pse ende nuk është kryer shpronësimi. Fajin ua adreson pronarëve të tokës, të cilët nuk janë interesuar për këtë shpronësim.
"Nga ana e jonë në bashkëpunim me Ndërmarrjen e SHërbimeve Komunale e cila ka hartuar projektin e zgjerimit të tyre po punohet për përgatitjen e të gjithë dokumentacionit teknik dhe ligjor për ta administruar këtë pronë pranë Zyrës Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës për regjistrimin në favor të Bashkisë Durrës të sipërfaqes 44190 m2. Gjithashtu lidhur me pronarët pasuria e të cilëve preket nga realizimi i projektit është bërë njoftimi sipas ligjit nëpërmjet Njësisë Administrative nr 4 për afishim të listës sipas përcaktimit të pikës 6 të Vkm-së nr.127 dt 23.03.2020. Aktualisht pronarët nuk janë kundërshpërblyer sipas vlerën së përcaktuar në VKM -në nr. 445 dt 22/07/2021, kjo ka ndodhur për shkak të mos interesimit nga ana e tyre për të dorëzuar pranë institucionit të Bashkisë Durrës dokumentin e pronësisë", thuhet në email.
Nga vëzhgimi në terren, Report Tv konstaton se në njësinë nr 4 nuk është e afishuar lista e pronarëve. Kryetarja e njësisë, Davide Ndoji tha në një komunikim telefonik se ky njoftim mund të jetë hequr nga vetë pronarët. Ajo pretendon se janë njoftuar pronarët e tokës, por kanë shprehur pakënaqësi për vlerën çmimin e ulët të caktuar nga qeveria për shpronësim.
Përmes dokumenteve të siguruara nga Report tv rezulton se vlera totale e parashikuar për dëmshpërblimin e 18 pronarëve ishte 17.5 mln lekë, ose ndryshe 397 lek për metër katror.
Mënyra se si po privatizohet toka për interes publik pa kryer më parë procedurat e dëmshpërblimit, lë hije të forta dyshimi për abuzime nga institucioni i bashkisë së Durrësit.