‘Hinterland’/ Futën 17 tonë kokainë në Europë, si u çmontua rrjeti ndërkombëtar i drogës nga Brazili në Dubai, del në skenë trafikanti shqiptar

10 Shtator 2023, 15:54| Përditesimi: 10 Shtator 2023, 17:59

  • Share

Armando Pacani, 39 vjeç me origjinë shqiptare rezulton se ishte blerësi kryesor i drogës që trafikohej nga organizata ndërkombëtare e kokainës me shtrirje nga Brazili deri në Dubai që u godit në mars të këtij viti.

Në dy vite hetime nga autoritetet evropiane dhe braziliane u vërtetua se organizata kriminale ka trafikuar 17 tonë drogë me destinacion Europën, nga të cilat 12 tonë janë sekuestruar.

Mediat e huaja, kanë zbardhur disa përgjime dhe shkruajnë se në këtë rrjet droge është i përfshirë edhe 39 vjeçari shqiptar.

“Duke hyrë në mesazhet e Sky ECC, hetuesit gjetën blerësin kryesor të organizatës të drogës në Evropë: shqiptarin Armando Pacani, 39 vjeç, i lidhur me një klan në Ballkan, sipas PF (Federal Police). Ai përmendet si pronari i ngarkesës së dërguar përmes Afrikës Perëndimore. Të dhënat e imigracionit tregojnë se Pacani hyri në Brazil në janar 2019 dhe u largua në gusht 2020, me një fluturim të Emirates nga São Paulo në Dubai.

Pacani është në arrati. Europol dyshon se ai ndodhet në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një deklaratë, avokati i tij, Eduardo Maurício, deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm dhe pretendoi se Operacioni Hinterland, urdhri i arrestit dhe përfshirja e tij në listën e kërkuar të Interpolit bazohen në prova të paligjshme që burojnë nga mesazhet telefonike në Sky ECC. Sipas Maurício, “kompania Sky ECC pretendon se autoritetet pushtuan softëerin e komunikimit në një mënyrë të paligjshme dhe abuzive, gjë që paraqet një shkelje të qartë të normave dhe parimeve kushtetuese, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të të gjitha provave”.

Detaje nga operacioni

Operacionit “Hinterland” i Europol u fokusua në Asunción, Paraguaj; Rio Grande do Sul, Santa Catarina, Paraná, Amazonas dhe Rondônia, nga Brazili, gjithashtu në Dubai, nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë periudhës së hetimit, organizata e trafikut të drogës ka kryer transaksione prej më shumë se 700 milionë dollarësh. Gjatë operacionit u zbulua se Rodrigo Alvarenga Paredes ishte një nga drejtuesit e organizatës së drogës në Paraguaj.

Autoritetet në Amerikën e Jugut dhe Evropë i kanë dhënë një goditje këtij rrjeti transatlantik të trafikut të drogës gjatë operacionit që ka nënvizuar rëndësinë e Paraguait për tregtinë ndërkombëtare të kokainës. Policia braziliane arrestoi 15 persona, sekuestroi 173 automjete dhe një avion si dhe u ngrinë llogaritë bankare të 147 personave dhe 66 kompanive më 30 mars, në kulmin e Operacionit Hinterland.

Rrjeti i trafikut të drogës dyshohet se transportonte 17 tonë kokainë nga Amerika Latine në Evropë. Europol, i cili mbështeti operacionin, e përshkroi atë si "një fitore të rëndësishme për luftën kundër drogës", duke shtuar se grupi i çmontuar ishte "një nga organizatat më aktive të trafikut të drogës në Brazil".

Nga hetimet u zbulua se kokaina e rrjetit e kishte burimin nga Bolivia, ku më pas trafikohej në Paraguaj. Nga Paraguaj, ai hyri në Brazil me kamionë përmes Ponta Porã, një qytet kufitar në shtetin e Mato Grosso do Sul. Nga Brazili, kokaina u dërgua me rrugë në shtetet e Rio Grande do Sul dhe Santa Catarina, ku trafikantët e ruanin produktin përpara se ta fshihnin në kontejnerë mallrash dhe ta dërgonin në Evropë.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?