Policia vazhdon aksionet “Plazhi i lirë” për lirimin e hapësirave publike në plazhe.
Kështu, në Durrës janë hequr 91 komplete me çadra dhe shezlongë nga plazhi i Currilave në lagjen nr.1 të qytetit, të cilat ishn vendosur në mënyrë të paligjshme.
Lidhur me këtë rast, 3 persona janë marrë nën hetim nga policia, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
Shërbimet e Komisariatit Durrës, në kuadër të plan-operacionit "Plazhi i lirë", kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Currilave, në lagjen nr. 1, u hoqën dhe u sekuestruan në total 91 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. D., 33 vjeç, D. V., 56 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
Policia e Kavajës në bashkëpunim me atë bashkiake ka vijuar në zonën e Golemit aksionin për lirimin e hapësirave publike.
Blutë bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për katër persona pasi kishin zënë 4 hapësira publike dhe i kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve ekonomike, në kundërshtim me ligjin.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në zonën e Golemit.
Nga kontrollet u konstatua se shtetasit Z. Xh., R. A., E. Q. dhe K. Sh. kishin zënë nga një hapësirë publike dhe e kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme ekonomike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasi Z. Xh., 54 vjeç, R. A., 57 vjeç, E. Q., 42 vjeç dhe K. Sh., 43 vjeç, banues në Durrës dhe në Kavajë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës do të vijojë kontrollet për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe sigurinë e pushuesve. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112.
Komente
